“Shi milionash” për lojtarët e Realit

Fitorja ndaj Juventusit në finalen e Kardifit, por edhe suksesi në kampionatin spanjoll për Realin e Madridit do të vlejnë një premio shumë të majme për futbollistët. Presidenti Florentino Perez, siç saktëson media spanjolle, ka takuar tre prej liderëve të skuadrës, Kristiano Ronaldon, Marselon dhe Serxho Ramosin, të cilëve ka dashur të delegojë premion e majme që “bosi” ka programuar për skuadrën.
Për dopietën e titujve, ai u ka vënë në dispozicion nga 2 milionë euro për kokë secilit prej 24 lojtarëve, përfshirë këtu edhe trajnerin Zinedin Zidan, për një total prej 50 milionë eurosh. Ndërkohë, 3 milionë euro të tjera premio do të shkojnë për pjesën tjetër të ekipit, përfshirë edhe magazinierët, plus skuadrën B të Realit.