Senatori italian: Zgjedhjet me krimin, rrezik për Italinë

Kuestori i Senatit italian, Lucio Malan, përfaqësues i Forza Italia, ka qenë në Tiranë fundjavën e shkuar dhe i ka bërë një përshkrim me ngjyra të ndezura protestës së opozitës shqiptare më 13 maj, duke bërë edhe një thirrje publike për qeverinë e vendit të tij që të kthejë sytë nga Shqipëria e të ndërhyjë fuqishëm në favor të demokracisë.
“Manifestimi më i madh në historinë e Shqipërisë. 600 mijë pjesëmarrës, sipas ish-Presidentit të Republikës Sali Berisha, shumë më pak, sipas qeverisë”, deklaronte të shtunën Malan nga protesta.
“E sigurt është që bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, deri ku të zë syri, është i mbushur plot me qytetarë që kërkojnë zgjedhje të lira nga ndikimi i prodhuesve dhe trafikuesve të drogës, xhiroja e të cilëve, sipas prokurorit kombëtar Antimafia, Franco Roberti dhe kreut të Prokurorisë së Leçes, Cataldo Motta, po rritet në mënyrë eksponenciale dhe shkon kryesisht drejt Italisë. Shqipëria konsiderohet numri një për shpërndarjen e drogës në Evropë”.
“Manifestimi u organizua nga Partia Demokratike, partia kryesore e opozitës, e drejtuar nga ish-ministri i ri, Lulzim Basha, që prej 12 javësh, bashkë me mijëra militantë, proteston me një çadër të madhe pranë ndërtesës qeveritare. Dje isha i pranishëm në një manifestim përgatitor dhe konstatova mbështetjen reale që gëzon Basha”.
“Partia Demokratike denoncon se paratë e pista që vijnë nga droga do të përdoren për blerjen e votave në zgjedhje dhe që, pavarësisht ligjit që i pengon personat e dënuar për krime të rënda të kenë funksione publike, janë ende të shumtë deputetët, kryebashkiakët, drejtuesit publikë të emëruar politikisht që kanë precedentë krimesh të ndryshme, përfshirë vrasje e përdhumin, përgjithësisht të lidhur me drogën, të cilët qëndrojnë në detyrë, megjithëse – falë presionit të PD dhe BE – është aprovuar ligji që i ndalon”, vazhdon Malan.
“Do t’i kërkoj qeverisë italiane një ndërhyrje në favor të demokracisë në Shqipëri, një vend shumë më pranë brigjeve tona se sa brigjet libiane, prej nga vijnë dhjetëra mijë emigrantë. Zgjedhjet e ndikuara nga trafiku i drogës në Shqipëri janë një rrezik i madh për vendin tonë, aq më tepër që po flasim për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për hyrjen në Bashkimin Evropian. Gjermania po vepron për këtë çështje, Italia nuk mund të rrijë e të bëjë sehir”.
I pranishëm në sheshin e lirisë, një ditë para se të organizohej protesta, senatori italian nga Tirana përcolli mesazhin e qartë se pa opozitën zgjedhjet nuk mund të cilësohen të lira e as demokratike. Ai e cilësoi si jetike betejën opozitare për votën e lirë, ndërsa kujtoi se është pikërisht vota e lirë që ndan kufirin mes demokracisë dhe diktaturës. Në diktaturë njerëzit nuk votojnë të lirë. Ndaj dhe ai tha se janë pikërisht rregullat e demokracisë për të votuar të lirë, pa dhunë, kërcënime e shitblerje të kësaj të drejte që sot me të drejtë kanë ngritur shqiptarët në protestë. Duke i cilësuar jo të lira zgjedhjet që zhvillohen në kushtet kur vota vidhet apo blihet, senatori italian tha se rezultati i prodhuar nga zgjedhjet nuk mund të pranohet. “Ndryshimi mes demokracisë dhe diktaturës nuk është se në demokraci votohet dhe në diktaturë jo. Por ndryshimi është se në demokraci merret vesh fituesi pas mbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa në diktaturë fituesi dihet para zgjedhjeve dhe është kjo ajo që po tentojnë të bëjnë këtu. Duhet të ketë rregulla të qarta. Duhet të ketë rregulla që nuk lejojnë mashtrimet, shitblerjen e votës, që nuk lejojnë marrjen e votës me dhunë apo kërcënime. Është kjo ajo për të cilën ju po luftoni. Zgjedhjet nuk mund të pranohen nëse nuk janë të lira sepse nëse pranohen atëherë rezultati mbetet dhe ata do të thonë se kanë mbështetjen e pjesës më të madhe të popullsisë dhe kur kjo nuk është e vërtetë. Të maten me armë të njëjta, jo duke i lidhur duart pas kurrizit kundërshtarit. Le të hyjnë në garë të barabartë”, u shpreh senatori italian.