Numri i ndërmarrjeve të mbyllura kalon bizneset aktive

Numri i bizneseve pasive, të cilat kanë pezulluar aktivitetin tejkaloi për herë të parë atë të ndërmarrjeve aktive. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përditësoi listën e bizneseve të mbyllura në status pasiv. Sipas listës rezulton se në Shqipëri aktualisht janë rreth 106 mijë biznese, të cilat kanë ulur qepenin duke pezulluar aktivitetin e tyre. Kjo shifër është më e madhe se sa numri total i bizneseve, që janë aktive. Sipas anketës së ndërmarrjeve, që publikon Instituti i Statistikave, në fund të vitit të kaluar Shqipëria numëronte në total 104 mijë biznese aktive ose 2 mijë ndërmarrje më pak se sa ndërmarrjet pasive. Kjo do të thotë se Shqipëria ka aktualisht më shumë biznese të vdekura se sa biznese që kryejnë aktivitet ekonomik. Dokumentet zyrtare të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se vetëm në harkun kohor të një viti, janë mbyllur mbi 15 mijë ndërmarrje, të cilat kanë kaluar në status pasiv. Lista e bizneseve pasive nisi të publikohej për herë të parë në maj të vitit të kaluar. Në atë kohë, Tatimet deklaruan se në Shqipëri rezultonin në total 91 mijë biznese me status pasiv, të cilat ishin akumuluar që nga viti 1992.