Një tjetër proces arbitrazhi kundër Shqipërisë

Ish-Fondi i Investimeve Anglo-Adriatika, i cili u përzgjodh nga qeveria shqiptare në maj të vitit 1996, për të investuar bonot e privatizimit në tregun e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, ka paditur qeverinë shqiptare në Gjykatën e Arbitrazhit. Sipas skemës së atëhershme, në vende të ndryshme ish-komuniste, edhe Shqipëria emetoi bono thesari ose ndryshe të quajtura bono privatizimi, të cilat iu shpërndanë popullit për të mundësuar hyrjen e qytetarëve në garat e privatizimeve. Ky sistem kishte për qëllim përfshirjen e qytetarëve në privatizimin e pasurive publike, ndryshe këto pasuri do të bliheshin nga qytetarët e huaj për hiç mosgjë. Në këtë gjendje, në mes të ligjeve të ngatërruara dhe të papërshtatshme, në Shqipëri në vitin 1996 erdhi “një investitor strategjik” Declan Ganley, i cili regjistroi tri fonde investimesh në vend. Ai bleu bono thesari nga shqiptarët. Fondi i Investimeve Anglo-Adriatika, një nga tre fondet e regjistruara në Shqipëri, arriti të grumbullonte rreth 12 për qind të bonove të emetuara nga qeveria shqiptare, me një vlerë prej 120 milionë dollarësh. Por sipas Ligjit Nr. 7979, të vitit 1995 “Mbi fondet e investimeve” nuk  i lejohej asnjë fondi të merrte më shumë se 10 për qind të prerjeve të emetuara nga një emetim i vetëm. Për këtë arsye fondi, i cili kishte grumbulluar më shumë se sa e lejonte ligji u bllokua nga autoritetet e vendit. Ndërsa përdorimi i tyre u kushtëzua nga fakti se fondi nuk mund të blente më shumë se 40 për qind të kuotave ose të aksioneve të një objekti për privatizim. Mesa duket pjesa tjetër e kuotave u ruajt për një partner teknik. Dhe kështu historia e këtij fondi u bllokua si për mungesë objektesh, si për mungesë investitorësh dhe si për mungesë autorizimesh. Më pas erdhën piramidat dhe kryengritja popullore dhe askush nuk bënte asgjë dhe mbi të gjitha qeveria e re socialiste nuk lejoi më përdorimin e “bonove të privatizimit” për të hyrë në ankandet e privatizimit. Në fakt vlera e tyre në tregun informal u ul nga rreth 25 për qind të vlerës nominale në vitin 1996 në 1,5 për qind të vlerës nominale në fund të vitit 1998. Nuk figuron që “bonot e privatizimit” të jenë pranuar për privatizimin e ndonjë kompanie strategjike, por vetëm për blerjen e aksioneve nga ish-punonjësit e kompanisë, sikurse ishte parashikuar në ligj. Ndërsa përdorimi i tyre u pranua, shumë vite më pas, për disa legalizime të shtëpive të ndërtuara ilegalisht në tokë të shtetit ose të privatëve të tjerë.