Nishani “Qytetar Nderi” i Prizrenit

Në ditën e fundit të vizitës shtetërore në Kosovë të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në kompleksin historik të Lidhjes së Prizrenit u zhvillua ceremonia solemne e posaçme e dhënies nga komuna e këtij qyteti të titullit “Qytetar Nderi”, kreut të shtetit shqiptar. Mes të pranishmëve të shumtë, ishin ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, drejtuesit vendorë të qytetit të Prizrenit, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare dhe qytetarë. Kreu i Komunës Ramadan Muja u shpreh se: “Prizreni është krenar për shpalljen ‘Qytetar Nderi’ të Presidentit të Republikës të Shqipërisë”. Kreu i shtetit shqiptar, pas marrjes në dorëzim të titullit vuri në dukje faktin se vizitën e fundit si President, po e bën në Kosovë, për të cilën tha se e ka përjetuar emocionalisht. “Nuk ka emocion dhe vlerë më të madhe njerëzore kur të nderojnë qytetarët dhe populli. Dhe prandaj sot ndihem i nderuar që mes jush dhe qytetarëve të Prizrenit ta marr dhe ta vlerësoj e të përulem para këtij nderimi që po më bëni. Isha shumë i nderuar që ta kryej këtë vizitë shtetërore të fundit pikërisht këtu, aty edhe ku e nisa në fillim të mandatit tim presidencial, në Kosovë. Përpos qëllimit që kisha për të përcjellë gjatë kësaj vizite nderimin, besimin dhe mirënjohjen e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për vëllezërit dhe motrat e tyre në Kosovë, si dhe për të gjithë autoritetet dhe institucionet e shtetit, të kultit e besimeve fetare, të shoqërisë civile te secili qytetar i nderuar i këtij shteti, ndoshta i ri në kontekstin juridik, por mijëravjeçar për sa i përket kulturës dhe traditave”.