Gjykata kundër sekuestrimit të pasurisë së Pezës

Gjykata e Lartë rrëzoi dje kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë së deputetit socialist, Alfred Peza dhe bashkëshortes së tij. Prokuroria kishte bërë dy kërkesa paralele me të njëjtin objekt. E para u bë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila një muaj më parë vendosi bllokimin e 1% të aksioneve në një bankë të nivelit të dytë, të cilat ishin në pronësi të gruas së ligjvënësit. Ndërsa një kërkesë e dytë u dorëzua edhe në Gjykatën e Lartë, e cila e rrëzoi. Pavarësisht vendimit, pasuria e familjes Peza do të vazhdojë të jetë e bllokuar për shkak të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Prokuroria e akuzon Alfred Pezën për mosdeklarim të të ardhurave, pastrim parash dhe fshehje pasurie. 84 milionë lekë të reja sipas hetimeve nuk justifikoheshin. Pavarësisht akuzave, Peza i ka mohuar duke sqaruar se janë para të ligjshme dhe se ai po hetohet si gazetar dhe jo si politikan.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vendosi të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë me argumentin se nuk ka prova dhe dyshime të arsyeshme se deputeti Peza e ka krijuar pasurinë në mënyrë të paligjshme. Ky vendim vjen vetëm pak ditë, pasi deputeti Peza deklaroi në Kryesinë e PS, se nuk do të kandidonte si deputet i kësaj force politike pa sqaruar së pari, akuzat e ngritura ndaj tij. Ai i vlerëson ato të qëllimshme dhe me prapavijë politike.
Prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë së deputetit është bërë që në fillim të muajt prill, vetëm pak kohë pas përfundimit të akt-ekspertimit kontabël. Sipas këtij akt-ekspertimi të kryer nga Prokuroria, thuhet se janë verifikuar të ardhurat e deklaruara në çdo muaj dhe paratë që disponon çifti Peza. Verifikimi i tyre, sipas Prokurorisë nuk rakordohet me të ardhurat e deklaruara zyrtarisht, thuhej nga Prokuroria në kërkesën për bllokimin e pasurisë, duke hedhur dyshime se, deputeti Peza ka fshehur pasurinë. Në akt-ekspertimin kontabël, sipas akuzës, deputeti nuk justifikon rreth 800 mln lekë, të cilat i disponon në formën e aksioneve të blera në një bankë të nivelit të dytë në vend. Përfundimi i këtij akt-ekspertimi, ka shtyrë hetuesit t’i kërkojnë Gjykatës sekuestrimin e pasurisë, por vetë deputeti ka mohuar të ardhurat e tij janë të pajustifikuara, duke e cilësuar hetimin e tij politik dhe për herë të parë hetim pasuror ndaj një gazetari.