Ballina Politikë Dështon koncesioni i check up-it, qeveria ndërhyn për të shpëtuar paratë e...

Dështon koncesioni i check up-it, qeveria ndërhyn për të shpëtuar paratë e Vilmës

Përpara, paralel me karvanin e propagandës qeveritare për të mbrojtur 120 milionë eurot e koncesionit të check up-it, ka ecur vetëm thellimi i skandalit të këtij projekti të dështuar që në vitin e parë të tij. Në janar të vitit 2016, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, simboli i korrupsionit të qeverisë Rama sipas opozitës, u detyrua të pranojnë se e kishte paguar kompaninë e Vilma Nushit, 1.7 miliardë lekë më shumë se puna që ajo kishte kryer për Kontrollin Mjekësor Bazë Falas. Për vitin 2015 check up–i u krye nga 244 mijë qytetarë, por kompania në pronësi të Vilma Nushit, një kliente e kryeministrit Edi Rama siç e quan opozita, është paguar sikur kontrollin ta kishin kryer 355 mijë qytetarë, pra për 110 mijë persona më shumë. Favorizim ndaj kompanisë u konsiderua edhe vendimi për të shtuar brezin e personave që do të duhet të kryenin check up-in. Në vendimin fillestar mosha e atyre që u nënshtroheshin kontrolleve ishte 40-65 vjeç, ndërsa me ndërhyrjen e qeverisë ajo u ndryshua në 35–70 vjeç. Por edhe kjo skemë duket se nuk ka funksionuar. Për të rritur numrin e personave që duhet të kryejnë kontrollin shëndetësor bazë, qeveria ka marrë një tjetër vendim. “Tashmë familjarët e personave që trajtohen me ndihmë ekonomike, do të duhet t’i nënshtrohen me detyrim këtij kontrolli, pasi në të kundërt nuk do të mund të marrin paratë. Sipas statistikave zyrtare, aktualisht janë rreth 80 mijë familje që janë përfituese të ndihmës ekonomike”. Nëse personat që përfitojnë ndihmë ekonomike nuk paraqesin vërtetimin se kanë kryer check up-in, nuk do të marrin ndihmën ekonomike. Më 8 maj 2017, pak javë pasi u ngjit në karrigen e ministres së Mirëqenies Sociale, Olta Xhaçka ndër të parat udhëzime firmosi një që ka të bëjë me zgjerimin e skemës së personave që i nënshtrohen check up–it. “Administratori shoqëror në bashkëpunim me mjekun e familjes do të duhet të marrë listën emërore të personave të kësaj grupmoshe (35–70 vjeç), të cilët nuk e kanë kyer kontrollin mjekësor bazë dhe t’i njoftojë ata 3 muaj rresht, para muajit të lindjes”. Të gjitha këto tentativa janë për një qëllim të vetëm: për të justifikuar paratë që merr kompania “Marketing & Distribution” e Vilma Nushit. Ajo, sipas kontratës koncesionare, paguhet për 475 mijë kontrolle në vit, pa marrë parasysh nëse këto kontrolle kryhen apo jo. Për çdo check up, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i paguan kësaj kompanie 1537 lekë, pa TVSH. “Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, që prej vitit 2015 deri në muajin nëntor të vitit 2016, këtë kontroll e kënë bërë 349 mijë individë, ose thënë ndryshe 37% e personave të parashikuar”, vijon më tej GSH. Por kompania koncesionare është paguar për 475 mijë persona. Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, “BIRN”, raportonte pak ditë më parë se shqiptarët e paguan dyfish më shtrenjtë për check up–in në vitin 2015. “Bilanci i kompanisë që fitoi tenderin e shumëdebatuar të kontrollit shëndetësor zbulon se check up-i i kushtoi taksapaguesve 554 milionë lekë vetëm për 9 muaj të vitit 2015, ndërsa kompania investoi gjithsej 337 milionë lekë dhe fitoi neto 45 milionë lekë, pasi kishte një kapital të vetin prej vetëm 30 milionë lekësh”.
Në shkrim theksohet se vetë Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor kishte vlerësuar se në vitin 2015 duhet të përftonin nga projekti 917 mijë persona, por përfituan vetëm 224.420 persona. “3P Life Logistic” -kompania e themeluar për mbarëvajtjen e koncesionit 10-vjeçar të check up-it zotërohet në 80 për qind të aksioneve nga kompania “Marketing & Distribution” dhe në 20 për qind nga kompania “Trimed”. “Marketing & Distribution” është 100 për qind në pronësi të Vilma Nushit, ndërsa “Trimed” ndahet 50 me 50 mes Nushit dhe Shani Peposhit”. Të gjitha të dhënat flasin për dështimin e koncesionit, për një numër gjithnjë e më të ulët të personave që i besojnë projektit Rama-Beqaj nga njëra anë dhe për fitime marramendëse të kompanisë koncesionare, fitime më të larta se vetë kapitali i saj në vetëm 1 vit. Dhe karvanit të kompanisë i duhen edhe 8 vjet të tjera të ecë përpara me këto ritme.
Lapsi.al

Exit mobile version