A do ta frikësojë akoma Shuls, Merkelin?

Volker Wagener

Sa kemi qeshur me karikaturën në gazetën “Frankfurter Rundschau”, pak pasi SPD bëri magji dhe nxori nga kapelja e magjirave Martin Shulsin. “Hajde, Shulsi, më tremb pak!”, kishte shkruar karikaturisti në flluskën pranë gojës së kancelares, e cila vështronte e zbavitur dhe me dinakëri zhurmën rreth sfiduesit.

“Hajde, Shulsi, më tremb pak!”
Partia Socialdemokrate SPD si frikësuese e konkurrencës politike, kur ka qenë hera e fundit që ka ndodhur kjo? Po përpara se ta harrojmë, nën përshtypjen e sondazhit aktual: ndodhi pikërisht ajo, të cilën nuk e kishte pritur askush. Shulsi e frikësoi Mamin – dhe ç’të frikësuar! Vetëm se për një kohë shumë të shkurtër.
Dhe çfarë mësojmë nga kjo? Asgjë! Që duhen më shumë se katër muaj që të vijnë zgjedhjet parlamentare në Gjermani dhe në parim mund të ndryshojë gjithçka, ky është një sekret i hapur, që vlen gjithmonë. Por këtë herë konstaton që gjendjet shpirtërore i ndikon gjithçka, kjo mund të thuhet për konjunkturat e psikologjisë kolektive, në fund të fundit zgjedhësit – kjo është unikale dhe e paparashikueshme.

Ai ekziston – faktori Merkel
Në fund të vitit 2015 dhe 2016 Angela Merkeli ishte nga pikëpamja politike klinikisht e vdekur. Malli që thyente rekorde në shitje dikur, malli Merkel, me politikën me synim të mirë ndaj refugjatëve, u shndërrua në një mall të dyshimtë. Po të kishte qenë CDU ende CDU-ja që ishte para Merkelit – plot me prijës kopeje – ajo do ta kishte humbur postin në parti dhe në kancelari. Por meqenëse kjo grua e mençur nga Lindja arriti t’i largojë prej kohësh me kafshime të gjithë burrat e vegjël të Perëndimit dhe pjesa që i kishte mbetur e autoritetit ishte edhe më tej e mjaftueshme, sa për ta mbajtur nën kontroll SPD pa fuqi të Gabrielit, ajo vazhdon të jetë edhe sot ajo që ka qenë në dymbëdhjetë vjetët e fundit: një kancelare sërish e padiskutueshme.
Dhe kjo ka të bëjë shumë me linjat e mëdha të politikës botërore. Politika e saj për refugjatët – ide e mirë, në thelb e drejtë, por e zbatuar pjesërisht keq – ka kohë që nuk është i vetmi standard me të cilin e masin zgjedhësit cilësinë e saj.
Monedha, me të cilën paguhet politika e mirë ose e keqe e këtyre ditëve është arsyeja dhe besimi. Ndërkohë, ajo për të cilën kanë më shumë frikë gjermanët, se temën e refugjatëve, e cila është qetësuar, janë trump-ët e kësaj bote. Është erozioni i bashkëpunimit midis shteteve, përçmimi ndaj BE, egoizmi nacional dhe shovinizmi. Qoftë Orbani, Putini, Erdogani apo Trumpi, Brexiti apo izolacionizmi i ri i SHBA – të gjitha këto i ngacmojnë, i shqetësojnë, u fusin frikën njerëzve. Zgjidhja për këtë është… po, dora e mbledhur romb e Angela Merkelit. Një simbol i “ruajtjes së qetësisë” dhe “demonstrimit të qëndrimit”.

Tendencat e sondazheve
Të gjitha këto dhe më shumë se këto pasqyrohen në tendencën e përgjithshme të sondazheve më të fundit. 69 për qind thonë se është meritë e Merkelit që Gjermania i ka punët kaq mirë në këtë botë kaq të paqetë. Martin Shulsi nuk ka asgjë çfarë të tregojë, me përparësinë e postit ai nuk mburret dot. Ai kishte vetëm euforinë e fillimit, por për të humbur ende nuk është humbur asgjë. Sepse ai dhe Merkeli nuk e dëmtojnë vërtet nga pikëpamja e programit njëri-tjetrin. Evropianë të bindur janë të dy, të dy janë edhe përfaqësues të mesit të gjerë të shoqërisë, në të cilin në Gjermani ende vazhdojnë të fitohen zgjedhjet.
Zgjedhjet janë më 24 shtator. Ndoshta do të jetë rezultati atëherë që do të flasë më shumë për Trump&Co se për Mamin dhe Martinin.