Nis eksodi te Inter

E ardhmja e dy kroatëve të Interit, Marselo Brozoviç dhe Ivan Perisiç, duket larg Milanos çdo ditë që kalon. Në intervistën për portalin “Veçernji”, ish-agjenti i Ivan Perisiç, Tonci Martiç, ka konfirmuar se zikaltrit kanë planifikuar të shesin dyshen kroate: “Këtë verë mund të ndodhë gjithçka për sa i përket merkatos. Shpesh unë jetoj në Milano dhe gjithçka çfarë dëgjoj është se kanë ardhur shumë oferta për Brozoviç dhe Perisiç, por është shumë shpejt për të arritur ndonjë akord, sepse merkato e verës mbyllet në datën një shtator. Për sa i përket të ardhmes së Perisiç dhe Brozoviç, nuk ka asnjë dyshim se zikaltrit kanë planifikuar shitjen e tyre”.
Më pas, agjenti zbulon një prapaskenë të merkatos për sulmuesin 28-vjeçar, Ivan Perisiç: “Edhe pse ka disa kohë që qarkullojnë zëra rreth një ofertë prej 60 milionë eurosh nga Mançester Junajtid për Perisiç, kam zbuluar që Ivan ka një opsion më të mirë dhe më tërheqës sesa Mançesteri, por gjithçka po mbahet në fshehtësi.
Në këtë rast, ka shumë mundësi që Interi të përfitojë më pak para dhe Perisiç do të ketë një rrogë më të ulët sesa i ka ofruar Mançester Junajtid, por do të ketë më shumë mundësi për të fituar diçka të rëndësishme”.
Tek Interi vazhdojnë dilemat për trajnerin e ardhshëm. Pas shkarkimit nga detyra të Stefano Pioli, zikaltërit janë vënë në kërkim tw pasuesit së tij. Diego Simeone një dëshirë e hershme e drejtuesve të Interit, bëri të qartë se do të vazhdojë të qëndrojë në Madrid. Antonio Conte, të paktën për momentin nuk ka ndërmend të lëvizw nga Londra edhe pse ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare, pasi largësia nga familja e tij ndoshta mund të bëjë që ai të rikthehet në Itali.
Për ta bindur trajnerin do t’i ofrohen 15 milionë euro në sezon. Tratativat vazhdojnë, por koha nuk premton. Alternativa e radhës është emri i Luciano Spallettit, i cili me shumë mundësi ky është sezoni i tij i fundit si trajner i Romës. Lista pasohet edhe me të tjera kandidatura siç është trajneri i Tottenham, Pochetino apo edhe ai PSG, Unai Emery. Për secilin prej tyre paga nuk përbën problem, mjafton vetëm një konfirmim nga ana e tyre. Brenda dy javëve të ardhshme me shumë gjasa Interi do të prezantojë emrin e trajnerit të ri.