Mediat e huaja: Protestë e jashtëzakonshme për zgjedhjet

Të jashtëzakonshme, e kanë cilësuar mediat e huaja ndërkombëtare protestën e opozitës të mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike, ishin kryefjala e çdo artikulli të botuar, nën kauzën e të cilit, mediat e huaja pasqyruan dhe arsyet e mbajtjes së kësaj proteste popullore. Nga Europa në SHBA, të gjitha mediat prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar mbi atë që ndodhi dje në Tiranë, ku gjithë shqiptarët u bashkuan për të mbrojtur votën e tyre të lirë.
Agjencia Ndërkombëtare e lajmeve, “Associated Press”, shkruan se disa mijëra mbështetës të opozitës morën pjesë në manifestimin para zyrës së kryeministrit Edi Rama.
Artikujt flasin për bashkimin e shqiptarëve nga i gjithë vendi, ndërkohë që vendi vuan nga varfëria, papunësia, cilësia e ulët e jetesës, mungesa e standardeve dhe shërbimeve për qytetarët si dhe rënia në pikiatë e ekonomisë.
Nga ana tjetër, krimi dhe droga, dy fenomenet e veshura sot me pushtet dhe të denoncuara fuqimisht nga opozita në qendresën e saj prej 85 ditësh kanë qenë pjesë e raportimeve të mediave ndërkombëtare.
Në raportim, theksohen edhe thirrjet e opozitës se kabineti qeveritar i Ramës mund të manipulojë zgjedhjet e 18 qershorit. “Partitë politike të opozitës nuk janë regjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit, por gjithashtu kanë paralajmëruar se nuk do të mbahen votime pa to”, shkruan Agjencia Ndërkombëtare e lajmeve.
Ndërkohë, raportimi i “Associated Press” për protestën e opozitës shqiptare është pasqyruar edhe nga “Fox News”, “Abc News”, “New York Times” e shumë media të tjera ndërkombëtare. Gjithashtu manifestimi është raportuar edhe nga mediat e rajonit.
Ka qenë madhështore protesta e organizuar nga opozita në Tiranë. Protesta është bërë lajm edhe për mediat ndërkombëtare dhe ato amerikane.
“ABC News” dhe “Washigton Post” shkruajnë se mijëra shqiptarë i janë bashkuar opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Ata e vënë theksin te protesta e opozitës e nisur në 18 shkurt dhe që kërkohet qeveria teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edhe media greke kanë shkruar për protestën madhështore të organizuar në Tiranë.
Mediat amerikanë shkruajnë se, “opozita e Shqipërisë thirri një protestë kombëtare, duke kërkuar një kabinet teknik për të udhëhequr vendin në zgjedhje parlamentare të lira dhe të ndershme muajin e ardhshëm. Mijëra mbështetës ecën në mënyrë paqësore përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës “Dëshmorët e Kombit” pranë zyrës së Kryeministrit Edi Rama, të ruajtur nga qindra policë”, shkruan “WP” që citon edhe kreun e PD-së Lulzim Basha. “Nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën”, tha Basha. “Do të ketë zgjedhje vetëm me një qeveri teknike (kujdestare)”. Ai paralajmëroi gjithashtu për një “marshim përfundimtar”.