Avokati i Popullit: Protesta paqësore dhe qytetare

Avokati i Popullit, Igli Totozani e vlerësoi protestën paqësore të opozitës dhe angazhimin e Policisë së Shtetit. Së bashku me një grup ekspertësh, ai monitoroi tubimin dhe tha se objekti i vëzhgimit ishin reagimi i institucioneve ndaj qytetarëve. Avokati i Popullit, Igli Totozani, së bashku me një grup ekspertësh të Seksionit të Sigurisë dhe atyre të Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës monitoron protestën e opozitës, ku në qendër të vëmendjes ishte sjellja e efektivëve të policisë ndaj qytetarëve. Në fund të protestës, Avokati i Popullit, Totozani, vlerësoi protestën paqësore dhe masat e marra nga uniformat blu. Totozani: “Mendoj që ishte një protestë paqësore. Natyrisht që objekt i monitorimit tonë janë forcat e rendit. Monitorojmë përgjigjen e shtetit ndaj të drejtës së protestës. Do të doja të shprehja vlerësim fillestar për forcat e rendit që kanë qenë në lartësinë e detyrës, por edhe qytetarët për qytetarinë e tyre”. Institucioni i Avokatit të Popullit do të hartojë një raport mbi ecurinë, sjelljen e protestuesve dhe reagimin e policisë.