Alegri: Juve s’ka fituar ende asgjë

“Ende nuk kemi fituar asgjë”. Kështu u shpreh trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri në konferencën e tij për shtyp, në prag të sfidës kundër Romës. Bardhezinjve u mjafton vetëm një barazim për të siguruar matematikisht titullin e 6 kampionë radhazi. Tekniku nuk harroi të përgëzonte futbollistët e tij për gjithçka kanë arritur përgjatë këtij sezoni.
“Vlerësim maksimal për të gjithë lojtarët, por deri më tani nuk kemi arritur ende asgjë. Në takimin kundër Romës do të kemi mundësi të mbyllim çështjen e titullit kampion. Nuk do të jetë e lehtë, pasi do të luajnë dy skuadra që në organikën e saj kanë futbollistë shumë cilësorë. Duhet t’i marrim gjërat një e nga një dhe duhet të ruajmë qetësinë”, u shpreh Alegri.
Më pas, vwmendja e teknikut kaloi në lidhje me emergjencën që ka skuadra në mesin e fushës, fakt që nuk e shqetëson Alegrin, pasi alternativat për të nuk mungojnë. Gara për trofeun e Topit të Artë, sipas trajnerit ka vetëm një fitues dhe ai është Gianluiggi Buffon.
“Marchisio dhe Khedira nuk do të luajnë, si alternativa kam Rincon, Sturaro dhe Lemina. Përsa i përket fituesit të “Topit të Artë” nëse arrijmw suksesin në Champions League, shoh Buffon si fitues. Është një çmim mëse i merituar për një njeri që ka fituar shumë tituj ndër vite”, përfundoi trajneri i Juventusit.