10 milionë euro të zhvatura në një vit nga vetëm një institucion, ARRSH

Auditi i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Autoritetin Rrugor Shqiptar ka zbuluar një badërdi shkeljesh e abuzimesh, të përkthyera në vjedhje, duke shkaktuar një dëm ekonomik rreth 10 milionë euro në vetëm një vit. Për këto shkelje, KLSH ka kallëzuar penalisht, përgjegjësin e sektorit të Zhvillimit të Projekteve të Huaja dhe të Brendshme në ARRSH.
Sipas të dhënave të auditimit për vitin 2016, janë katër pika kryesore në të cilat ARRSH ka kryer shkelje të rënda financiare, duke nisur nga rritja artificiale e vlerave të prokuruara, tek shërbimet e konsulencat e deri tek dy nga projektet më madhore ku dhe shkeljet janë marramendëse, by pass-i i Fierit dhe i Vlorës.
Së pari, në lidhje me autidimin dhe gjetjet për vitin 2016, KLSH ka konstatuar se në vitin 2016, ARRSH ka prokuruar fondin prej 32 milionë lekësh për shërbimin e konsulencës me objekt “Supervizim dhe auditim për verifikimin e cilësisë së punimeve të objekteve të rrugëve”, por autoriteti kontraktor nuk ka marrë në konsideratë vlerën e dëmit ekonomik prej 496 milionë lekë të nxjerrë nga ky shërbim.
Së dyti, KLSH ka konstatuar se përllogaritja e gabuar e fondit limit për procedurën e prokurimit me objekt “Studim, projektim zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës”, me pasojë rritjen artificiale të vlerës së këtij objekti me 100 milionë lekë.
Së treti, nga kontrollet e kryera nga auditi i KLSH rezulton se mospërdorimi i manualeve të miratuara të preventivimit gjatë përllogaritjes së fondit limit, duke sjellë efekt negativ në buxhetin e shtetit në vlerë 57 milionë lekë.
Së katërti, një nga audimet më të rëndësishme të kryera gjatë vitit 2016 nga KLSH, ka qenë auditimi i zbatimit të punimeve në ndërtimin e by pass-it të Fierit dhe by pass-it të Vlorës, si dy objekte shumë të rëndësishme dhe me ndikim të madh tek përdoruesit e rrugës.

By pass-i i Fierit

ARRSH ka lidhur kontratën për “Ndërtimin e by pass(it) të Fierit”, me vlerë 39,866,012 euro, e cila është rishikuar me amendim dhe kontrata kap vlerën 41,253,460 euro pa TVSH. Palët kanë rënë dakord që të bëjnë rishikim të afatit të përfundimit by pass(it) të Fierit dhe kanë përcaktuar si të tillë datën 04.04.2016. Në fakt edhe ky afat nuk është përmbushur dhe aktualisht kontrata e punimeve është në proces. Nga ARRSH nuk është marrë asnjë masë për të përcaktuar dhe për të rënë dakord me kontraktorin për përcaktimin e një afati për përfundimin e punimeve, si dhe për hartimin e grafikut të miratuar të punimeve. Aktualisht nga data 04.04.2016 midis ARRSH dhe kontraktorit, nuk ka një marrëdhënie kontraktuale të zyrtarizuar, ku të përcaktohej se kur parashikohen të përfundojnë punimet, si dhe të përcaktohen të gjitha të drejtat e detyrimet. Një fakt tjetër paradoksal është edhe ai që kontrata e mbikëqyrjes së punimeve për by pass-in Fier ka qenë përcaktuar me afat deri më datë 31.12.2016, situatë kjo e cila tregon për formalitet dhe veprime fiktive, si në keqmenaxhimin e kontratës dhe të projektit në tërësi. ARRSh nuk i ka paraqitur deri më sot kompanisë zbatuese asnjë pretendim “zyrtar” në lidhje me penalitetet që kjo shoqëri duhet të paguajë si pasojë e vonesave në kryerjen e punimeve dhe të cilat sipas përllogaritjeve të grupit të auditimit të KLSH-së arrijnë deri në 4,125,346 euro.

U favorizua kontraktori duke dëmtuar interesat e shtetit

Progresi i punimeve për by pass e Vlorës ka ecur me ritme shumë të ulëta që këtë situatë e dëshmojnë dhe shifrat e realizimit. Realizimi fizik është në masën 5.6%, realizimi financiar në masën 14%, realizimi kohor në masën 60%, pra tregues të cilët janë në përpjesëtim të zhdrejtë me njëri–tjetrin. Fondet e IPA/BE janë bërë efektiv më datë 30.10.2015, afërsisht 7 muaj pas lidhjes së kontratës së punimeve të by pass Vlorë. Nga lidhja e kontratës deri në momentin e bërjes efektive të fondeve IPA, ARRSH ka miratuar dy pagesa në shumën 1,364,237 euro, të cilat nuk ka mundur të likuidohen, pasi nuk janë siguruar më parë burimet e financimit, veprime këto në kundërshtim me marrëveshjet financiare të BEI, BERZH dhe IPA 2011. Në analizë të të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve të kryera, arrihet në konkluzionin që ato janë kryer me qëllimin e favorizimit të kontraktonit duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit.
Nga auditimi u konstatua se kompania konsulente e by pass Fier, nuk ka plotësuar dhe dorëzuar në ARRSH ose në Drejtorinë e Tatimeve, formularët për shmangien e tatimit të dyfishtë, në zbatim të marrëveshjes bilaterale për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal duke shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 92,386 euro.
Për “Konsulentë dhe mbikëqyrje e punimeve të by pass Fier”, ku edhe për këtë kontratë, ashtu si për atë të punimeve, nuk ka një deadline (datë përfundimtare) për realizimin e saj. Ndaj dhe sipas auditit, për realizimin e kësaj kontrate, do të lindë domosdoshmërisht nevoja për rishikim të vlerës së kontratës, për arsye se nuk kanë përfunduar punimet e ndërtimit.

By pass-et, dëmi ekonomik me rritje të mëtejshme miliona euro

9.4 milionë euro llogaritet dëmi ekonomik i shkaktuar për shkak të shkeljes së afateve në përfundimin e ndërtimit të by pass-it të Fierit dhe atij të Vlorës. Nëse çdo gjë do të ishte respektuar sipas afateve të përcaktuara në projektet reciproke, do të shpëtoheshin jo pak, por plot 9.4 milionë euro. Më e keqja e këtij megaskandali qëndron në faktin se për shkak të shtyrjes së afateve dhe nga ana tjetër situatës ku ndodhet sot ndërtimi i dy by pass-eve, dëmi ekonomik pritet të rritet me miliona euro të tjera. Projekti “Ndërtimi i by pass-it të Fierit”, ka si objektive ndërtimin e një by pass-i me gjatësi 22 km në qytetin e Fierit. Ky është segmenti i fundit i mbetur në aksin kryesor veri-jug ndërmjet Tiranë-Durrës dhe Greqisë, dhe ka si qëllim përmirësimin e udhëtimit kohor dhe të sigurt, në veçanti përmes trafikut, si dhe për të lehtësuar kongjestionin dhe problemet mjedisore në qytetin e Fierit. Projekti sipas marrëveshjeve financiare ka qenë përcaktuar të përfundonte brenda tremujorit të fundit të vitit 2015. U konstatua se ky afat nuk ka mundur të përmbushet, madje deri në fund të muajit gusht 2016 realizimi kohor vetëm për punimet është në masën 117% dhe janë kryer vetëm 50% e tyre (punimeve). Projekti “Ndërtimi i by pass-it të Vlorë”, ka si qëllim ndërtimi i një by pass-i me gjatësi 29 km në qytetin e Vlorës. Nga ana tjetër, projekti për by pass-in e Vlorës, sipas marrëveshjeve financiare është përcaktuar të fillonte në tremujorin e katërt të vitit 2014 dhe të përfundojë brenda datës 30 qershor 2017. Por nga auditimi u konstatua se ky afat nuk do të mund të përmbushet për arsye se, kontrata për fillimin e punimeve është lidhur më datë 19.03.2015 dhe deri në fund të muajit gusht 2016 realizimi kohor vetëm për punimet është në masën 60% dhe janë kryer vetëm 5.6% e tyre (punimeve). Sipas auditimit ka rezultuar se operatori i shpallur fitues në tenderin me objekt ndërtimin e by pass Fier, “S. C.” spa, është konsideruar nga KVO si ofertë anomalisht e ulët, të cilit i janë kërkuar analizat e çmimeve për verifikime të kostove të zbatimit. Gjithashtu, KLSH vëren se kjo ofertë është konsideruar anomalish e ulët edhe nga banka BERZH, por kjo e fundit ka kërkuar të rritet garancia e kontratës në masën 20% me vlerë 8,718,465 euro, në mënyrë që të sigurohet përfundimi i investimit. Nga ana tjetër, auditi ka konstatuar se për procedurën e prokurimit për ndërtimin e by pass Vlorë, donatorët BERZH dhe BEI, kanë miratuar “Raportin e rishikuar të vlerësimit të ofertave” të KVO-së, me fitues operatorin “S. C.”, i cili është i njëjti edhe për ndërtimin e by pass Fier. Nga auditimi u konstatua se lidhja e kontratës së punimeve me çmimet e ofertuar ka sjellë vështirësi gjatë zbatimit të projektit dhe për të reduktuar çmimet e ofertuara, kontraktori ka propozuar ndryshime thelbësore të projekt-preventivit, me qëllim që të minimizojë humbjet dhe të rrisë fitimin, veprime këto të cilat kanë rënduar negativisht jo vetëm koston e projektit, por edhe zbatimin në kohë të tij. Gjatë auditimit u konstatuan disa shkelje dhe parregullsi në lidhje me përcaktimet e bëra në kontratat e konsulencës, si dhe ato të punimeve civile, për sa i përket kryerjes së pagesave për punime të parealizuara, ndryshime të projektit të shoqëruara me rritje fiktive të çmimeve për zëra të ndryshëm punimesh.

Tabela e shifrave me shkeljet në dy by pass-et

Dëmi ekonomik i konstatuar është në vlerën 9,449,474 euro është i ndarë në:
4,898,076 euro dëm për ndryshimet në analizat e kostove;
4,125,346 euro dëm për vonesat e punimeve;
333,666 euro dëm nga volumi i punës së paguar më tepër;
92,386 euro dëm nga mosmbajtja e tatimit mbi të ardhurat;
835,896 euro dëm për pagesë shtesë ndaj konsulentit nga vonesat e punimeve, interferimin e hekurudhës dhe rishikimin e projektit në zonën arkeologjike.

Shkeljet e ARRSH në vetëm një vit

– Është prokuruar fondi prej 32 milionë lekë për shërbimin e konsulencës me objekt “Supervizim dhe auditim për verifikimin e cilësisë së punimeve të objekteve të rrugëve” dhe autoriteti kontraktor nuk ka marrë në konsideratë vlerën e dëmit ekonomik prej 496 milionë lekë të nxjerrë nga ky shërbim.
Përllogaritja e gabuar e fondit limit për procedurën e prokurimit me objekt “Studim, projektim zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës”, me pasojë rritjen artificiale të vlerës së këtij objekti me 100 milionë lekë.
– Mospërdorimi i manualeve të miratuara të preventivimit gjatë përllogaritjes së fondit limit, duke sjellë efekt negativ në buxhetin e shtetit në vlerë 57 milionë lekë.
– Një nga audimet më të rëndësishme të kryera gjatë vitit 2016 nga KLSH, ka qenë auditimi i zbatimit të punimeve në ndërtimin e by pass-it të Fierit dhe by pass-it të Vlorës, si dy objekte shumë të rëndësishme dhe me ndikim të madh tek përdoruesit e rrugës. Zgjatja e afteve kushtoi 9.4 milionë euro.