Trump: Do ta shkarkoja Comey-n pavarësisht rekomandimit të Departamentit të Drejtësisë

Gjatë një interviste në rrjetin televiziv “NBC”, presidenti Donald Trump tha se do ta kishte shkarkuar shefin e FBI-së, James Comey edhe në qoftë se zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë nuk do t’ia kishin rekomanduar, duke thënë se ai donte të dukej.
“Ai do që të bjerë në sy. Është pompoz. Kërkon të duket. FBI-ja ka qenë e përfshirë në amulli prej tij”, i tha zoti Trump rrjetit televiziv në intervistën e tij të parë që prej shkarkimit të papritur ditën e martë të zotit Comey.
Ish-kreu i FBI-së po drejtonte një hetim mbi lidhjet mes zyrtarëve të fushatës zgjedhore të presidentit Trump dhe zyrtarëve rusë, së bashku me ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet e vitit të kaluar.
“Do ta pushoja vetë Comey-n”, tha Trump. “Do ta kisha pushuar pavarësisht nga rekomandimi i zëvendësprokurorit të Përgjithshëm, Rod Rosenstein”.
Të enjten Shtëpia e Bardhë mbrojti sërish mënyrën se si e shkarkoi drejtorin e Byrosë Federale të Hetimit, në një periudhë kur po hetohen lidhjet e njerëzve të fushatës zgjedhore të presidentit dhe zyrtarëve rusë.

Marrëdhënia e ndërlikuar e Presidentit Trump me ish-drejtorin e FBI-së
Shkarkimi i drejtorit të FBI-së, James Comey nga Presidenti Donald Trump ishte pika kulmore e një marrëdhënieje të vështirë njëvjeçare mes tyre. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Bill Gallo i hedh një vështrim zhvillimeve të muajve të fundit.
Trump: “Oh, and there’s James. He’s become more famous than me”.
Edhe në momentet më të mira, për Donald Trumpin ishte një marrëdhënie e dyfishtë dashuri-urrejtje.
Armiqësia e presidentit me drejtorin e FBI-së, James Comey filloi gjatë fushatës, kur zoti Comey nuk pranoi të ngrinte akuza kundër rivales së zotit Trump, Hillary Clinton, për përdorimin e një serveri privat e-mail-esh, kur ishte sekretare Shteti.
“Nuk kemi prova që të mund të mbështesnin ngritjen e akuzave”.
Kandidati i atëhershëm Trump u indinjua, duke argumentuar se zonja Clinton duhet të ishte futur në burg për e-mail-et.
Por qëndrimi i zotit Trump ndryshoi vetëm 11 ditë para zgjedhjeve, kur zoti Comey njoftoi se FBI-ja po analizonte një grup tjetër e-mail-esh të zonjës Clinton, një deklaratë që shumë demokratë thonë se kontribuoi në fitoren e zotit Trump.
“E respektoj faktin që drejtori Comey arriti të bënte një kthesë pas veprimit të tij të mëparshëm. E respektoj këtë jashtë mase”.
“Ai e rifitoi reputacionin e tij, e rifitoi”.
“FBI-ja po bën punë të mirë”.
Por kur mori detyrën, toni i tij ndryshoi përsëri. Veçanërisht pasi zoti Comey konfirmoi se po drejtonte një hetim për të zbuluar nëse zyrtarët e fushatës së zotit Trump kishin bashkëpunuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhje.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se shkarkimi i zotit Comey nuk ka të bëjë fare me hetimin. Ata përmendin një letër të Departamentit të Drejtësisë, ku kritikohet mënyra se si e trajtoi ai çështjen e e-mail-eve të zonjës Clinton.
Por shumë ligjvënës nuk e besojnë këtë arsyetim, duke shtruar pyetjen se pse Presidenti Trump do ta shkarkonte zotin Comey për të njëjtat veprime që më parë i kishte përshëndetur.
“Pyetja e parë së cilës duhet t’i përgjigjet administrata është: ‘pse tani?’”, thotë senatori demokrat, Chuck Schumer.
Por zoti Trump nuk është penduar. I pyetur dje se pse e shkarkoi zotin Comey, ai u përgjigj.
“Sepse nuk po bënte punë të mirë. Është e thjeshtë. Nuk po bënte punë të mirë”.