Të thyejmë Ajaxin

Sa shumë vuajtje për një kualifikim që vlente sa një sezon i tërë. Në minutat e fundit të sfidës ndaj Celta Vigos, Jose Mourinho puthte orën, duke iu lutur Zotit që në finalen e madhe të Europa League që do të zhvillohet në Stockholm të ishte Manchester United. Një sinjal mëse i qartë ky që tregonte ankthin që ishte duke përjetuar trajneri portugez në ato momente. Në fund, fati u buzëqeshi dhe Djajtë e Kuq fluturuan në finale ku do të sfidojnë Ajaxin e Amsterdamit me objektivin për të mbyllur këtë sezon me dy trofe, pas suksesit në Kupën e Ligës në Angli. Për Jose Mourinhon ky kualifikim kishte vlera të jashtëzakonshme për t’i bërë një mbyllje sa më të mirë këtij sezoni.
“Sigurisht që kjo nuk ishte ndeshja më e rëndësishme në historinë e Manchester United dhe as ndeshja më e rëndësishme në karrierën time si trajner. Megjithatë, kjo ishte ndeshja më e rëndësishme në histori si Celta Vigo që shfaqi dëshirë dhe grintë për t’u kualifikuar në finale. Kemi vuajtur shumë, sepse kur luan përballë një skuadre që jep gjithçka në fushë nuk është asnjëherë e lehtë. Në 30 minutat e fundit, Celta na vuri shumë në vështirësi”, u shpreh Murinjo.
Por edhe pas këtij kualifikimi, United ka ende punë për të bërë, pasi duhet të kalojë edhe pengesën që mban emrin e Ajaxit të Amsterdamit. Vetëm nëse triumfojnë në finalen e Europa League ky sezon do të konsiderohej pozitiv për 20-herë kampionët e Anglisë. “Fati i sezonit tonë do të vendoset në finalen e Ajaxit, por megjithatë puna që kanë bërë djemtë përgjatë gjithë sezonit nuk mund të justifikohet në një ndeshje të vetme. Por ky është realiteti dhe nëse nuk fitojmë finale gjithçka do të hidhej poshtë. Nëse ja dalim të mposhtim Ajaxin dhe të rikthehemi në Champions League do të ishte diçka fantastike”, tha ai.
24 maj në “Friends Arena” të Stokholmit, Manchester United përballë Ajax. Kjo është finalja e sezonit 2016-2017 që vendos përballë dy prej skuadrave më legjendare të kontinentit. Dy skuadra që kanë fituar shumë në Europë dhe këtë vit kërkojnë lavdinë në Europa League ku “Djajtë e Kuq” nuk kanë arritur asnjëherë të shpallen fitues, ndërsa Ajax e ka fituar për herë të fundit këtë trofe në vitin 1992 nën siglën e Kupës UEFA. Skuadra e Jose Mourinhos hedh kështu një hap të madh për të siguruar biletën Champions League, pasi një sukses i mundshëm në finale e katapulton direk në fazën e grupeve. Celta Vigo u dorëzua edhe në duelin e kthimit në “Old Trafford”, ku barazoi mes drithërimave 1-1. Fillimisht, vendasit kaluan në avantazh në pjesën e parë me Marouane Fellaini. Një goditje e saktë me kokë nga ana e mesfushorit belg, që vulosi përfundimisht çështjen e kualifikimit.
Iberikët barazuan 4 minuta nga fundi me Roncaglian, por ky gol rezultoi i pamjaftueshëm pas suksesit të anglezëve në sfidën e parë me rezultatin 1-0. Në këtë mënyrë, Manchester United dhe Jose Mourinho kanë mundësinë për të koleksionuar në palmaresin e tij një trofe që nuk e ka arritur asnjëherë më parë. Sfida tjetër Lyon-Ajax u dha të drejtë holandezëve që pavarësisht humbjes 3-1, u favorizuan nga ai sukses i thellë 4-1 në Johan Cruijf Arena” një javë më parë. Ishte Kasper Dolberg që në minutën e 27 i dha një goditje të rëndë skuadrës franceze.
Gjithsesi, pjesa e parë dhuroi edhe dy gola të tjerë që zgjuan shpresën e Lyon. Alexandre Lacazette nga pika e bardhë e 11 metërshit barazoi llogaritë, ndërsa në fundin e kësaj pjese shënoi një gol shprese. Sërish Lyon me Rachid Ghezzal në minutën e 83 ngjalli panik për skuadrën e “Harkëtarëve”.