Simeone: Vazhdoj këtu

Eliminimi në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve kishte shtuar zërat e largimit të Diego Simeones nga Atletiko Madrid për t’iu bashkuar Interit. Por vetë trajneri argjentinas i ka dhënë fund çdo dyshimi të mundshëm. “E ardhmja ime është te Atletiko Madrid”, deklaroi trajneri gjatë prezantimit të “Audi Cup”, turneut veror në të cilin merr pjesë ekipi i tij, Bajern Mynih dhe Liverpuli. “Nëse jam këtu për të prezantuar manifestimin, do të thotë që do të jem trajneri edhe sezonin e ardhshëm, nëse gjërat do të jenë mirë edhe me klubin. Do të shihemi me njëri-tjetrin në Gjermani shumë shpejt”, tha Simeone para gazetarëve.
Interi kërkonte prej kohësh trajnerin e Atletikos dhe vetë Simeone kishte deklaruar se në një të ardhme do të kishte dëshirë të drejtonte zikaltërit. Por me sa duket kjo eksperiencë duhet të presë, pasi tekniku mendon të fitojë përsëri diçka me Atletikon, para se t’i japë lamtumirën klubit spanjoll.