Plas te Barcelona

“Unë ose ai”. Ky është kërcënimi që Neymar u ka bërë drejtuesve të Barcelonës pas një debati që ka pasur me zv/trajnerin Juan Carlos Unzue. Prapaskena zbulohet nga e përditshmja katalanase “Mundo Deportivo”. Episodi është shënuar në datën 4 maj kur gjatë stërvitjes, ndihmësi i Luis Enriques i ka tërhequr veshin brazilianit duke i thënë se duhej të përqendrohej më shumë, madje ai i ka kujtuar shembullin e Ronaldinhos që sipas zv/trajnerit ka qenë një lojtar shumë i talentuar, por falë shpërqendrimit nuk arriti të merrte maksimumin nga karriera e tij. Kjo këshillë nuk i ka pëlqyer aspak sulmuesit që i është kundërpërgjigjur zv/trajnerit.
Një situatë aspak e qetë për stafin dhe pjesën tjetër të lojtarëve pasi debati u zhvendos edhe në dhomën e zhveshjes ku shumë prej lojtarëve më pas dhanë versionet e tyre. Kjo bëri që Neymar të lëshojë ultimatumin: “Nëse ai qëndron, iki unë”, duke djegur kështu mundësinë që Unzue të vazhdojë punën në klubin katalanas, pasi një prej hipotezave ishte që ai të pasonte Luis Enriquen në fund të sezonit. Kjo frazë mbërriti deri në zyrat e drejtuesve të lartë të klubit që u përpoqën të ulin tensionin duke deklaruar përpara lojtarëve se zënka të tilla duhet të mbeten brenda fushës stërvitore. Gjithsesi, për momentin nuk ka ende asnjë vendim të presidentit Bartomeu edhe pse dëshira e tij është që Juan Carlos Unzue të vazdojë punën si timonier i skuadrës.
Ndërkohë e përditshmja katalanase “El Mundo Deportivo” hapte faqen e parë të saj, duke e lidhur me dilemat e krerëve të Barcelonës në lidhje me elementë, që në të ardhmen do të përbëjnë mesfushën blaugrana. Rafinja ka thuajse gjysmën e sezonit që kërkon të luajë më shumë për të mos humbur Botërorin e vitit të ardhshëm në Katar. Alternativa për brazilianin nuk mungojnë. Në rast se dështon kalimi i tij në Angli, për të është gati një rol prej protagonisti te Flamengo në Brazil.
“Problematiku” tjetër është Andre Gomesh. Portugezi gjithashtu ka ambicie në rang ndërkombëtar, por nuk do të ishte kundër qëndrimit për një vit tjetër në Barcelonë. Mbi të prej kohësh janë përqendruar sytë e Juventusit, që pati mundësi ta monitoronte nga afër gjatë ndeshjeve në Ligën e Kampioneve. Në rast se bardhezinjtë dështojnë në afrimin e Toliso nga Lioni do t’i bëjnë Barcelonës një ofertë prej 35 milionë eurosh për shërbimet e luzitanit.
Nga anët e Katalonjës vështirë se kapen të papërgatitur, sidomos kur bëhet fjalë për lojtarë cilësorë apo të dobishëm për projektin. Mesit me shokë nuk duhet t’i mungojë kurrsesi asistenca nga mesfusha dhe është e qartë se Iniesta e Serxhi Buskets nuk mjaftojnë.
Alternativa e preferuar nga drejtuesit katalanas prej kohësh korrespondon me emrin e Marko Verratit. Italiani nuk ka pakënaqësi nga jeta në Paris, por sigurisht një projekt si ai i Barcelonës do ta fuste thellë në mendime. Për 24-vjeçarin do të “mjaftonin” 40 milionë për kartonin dhe një pagë prej 10 milionë eurosh, ndërsa te loja përkrah yjeve vendës do të shërbente për të shuar dyshimet e fundit.