Ndikimi i kanabisit tek niveli i euros

Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, euro nisi një zhvlerësim të pazakontë në Shqipëri, e ndihmuar dhe nga rënia e monedhës së përbashkët në tregjet ndërkombëtare. Në dhjetor të vitit të kaluar, euro zbriti në 134.39 lekë, niveli më i ulët i gati 8 viteve, kur edhe euro në bursa arriti në gati 1.04 USD, nivelin më të ulët në 11 vjet. Por, edhe pse euro e mori veten, duke u këmbyer aktualisht me 1.09 USD, përveçse në janar kur arriti në rreth 137 lekë, euro në tregun vendas po vijon të flirtojë me nivelin më të ulët në gati 8 vite dhe ka arritur një rekord të ri ditën e enjte. Ekspertët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore lidhet me ofertën e lartë për valutë në tregun vendas, nga burime të dukshme e të padukshme. Nga burimet e padukshme është valuta e lartë që qarkullon, ku nga masivizimi i fenomentit të hashashit, një pjesë e të cilës hyn në treg. Një tjetër faktor i padukshëm, sipas ekspertëve është që me afrimin e zgjedhjeve kanë filluar shpenzimet zgjedhore, që këtë vit po kryhen edhe në valutë, duke rritur ofertën për euro.