Marrëdhëniet SHBA-Rusi pas takimit Trump-Lavrov

Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin tha të enjten se takimi mes ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov dhe Presidentit amerikan, Donald Trump ishte “jashtëzakonisht pozitiv”.
Dimitri Peskov u tha gazetarëve se Rusia ka “optimizëm të përmbajtur” rreth perspektivës për përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por ai shtoi se ende ka shumë punë për të bërë.
Komentet erdhën një ditë pasi Presidenti Trump priti në Shtëpinë e Bardhë ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, me të cilin biseduan kryesisht mbi situatën në Siri.
“Kam patur një takim shumë të mirë me Lavrovin, mendoj se ishte një takim shumë i mirë”, u tha Presidenti Trump gazetarëve pas takimit.
Pas një takimi në Zyrën Ovale me ish-sekretarin e Shtetit Henry Kissinger, Presidenti Trump dha disa hollësi rreth diskutimeve të tij me diplomatin rus. “Mendoj se do të bëjmë gjëra shumë të mira në lidhje me Sirinë”, tha ai. “Unë mendoj se gjërat që po ndodhin janë vërtet pozitive. Ne do të ndalim vrasjet dhe vdekjet”.
Takimi me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov është takimi i nivelit më të lartë që Presidenti Trump ka bërë me një zyrtar rus që nga fillimi i mandatit të tij dhe vjen një muaj pasi presidenti tha se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës mund të jenë në pikën më të ulët. Zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë thënë se janë duke diskutuar për një takim të mundshëm mes Presidentit Trump dhe Presidentit Putin gjatë G-20-ës në Gjermani në korrik të këtij viti.
Duke folur me gazetarët në ambasadën ruse pas takimit, Lavrov nuk dha më shumë hollësi për këtë çështje. “Ne diskutuam në hollësi për situatën në Siri në kontekstin e ideve që janë paraqitur në lidhje me ngritjen e zonave të sigurisë”, tha ai. “Ne kemi një mirëkuptim të përbashkët për faktin se ky hap duhet të kontribuojë në ndërprerjen e dhunës në të gjithë territorin e Sirisë. Ky do të jetë një hap drejt zgjidhjes së problemeve humanitare”.
Një një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se në bisedimet me ministrin e Jashtëm rus janë diskutuar edhe çështje të tjera rajonale.
“Presidenti Trump ka theksuar nevojën për të punuar së bashku për t’i dhënë fund konfliktit në Siri, në veçanti, duke nënvizuar nevojën që Rusia të frenojë regjimin e Asadit, Iranin dhe grupet e mbështetura nga autoritetet iraniane”, thuhet në deklaratë.
Jonathan Adelman, profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin e Denverit, i tha “Zërit të Amerikës” se, Rusia mund të luajë një rol të fuqishëm në trajtimin e çështjes së Sirisë, por duhet të ndërmarrë disa vendime rreth fushatës së saj atje.
“Së pari, a do ta pranojnë një kërkesë realiste amerikane për të punuar që të ndalet terrori që ka vrarë mbi 400,000 sirianë apo do të qëndrojnë me Iranin, një vend shumë armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara”, tha profesor Adelman.
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë për takimin e së mërkurës gjithashtu vuri në dukje dëshirën e Presidentit Trump për të ndërtuar një marrëdhënie më të fortë dypalëshe me Moskën në çështje të tjera.
“Presidenti ngriti çështjen e Ukrainës dhe shprehu angazhimin e administratës për zgjidhjen e konfliktit dhe theksoi përgjegjësinë e Rusisë për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e Minskut. Ai gjithashtu ngriti mundësinë e bashkëpunimit më të gjerë në zgjidhjen e konflikteve në Lindjen e Mesme dhe gjetkë”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Para takimit në Shtëpinë e Bardhë, ministri i Jashtëm rus bisedoi me sekretarin, Rex Tillerson në Departamentin e Shtetit. Pas takimi ai iu përgjigj me shaka një gazetari, i cili pyeti mbi pushimin nga puna të drejtorit të FBI-së, James Comey. “Është pushuar nga puna? Po tallesh ti”.
Tillerson dhe Lavrov muajin e kaluar u takuan në Moskë, mes tensioneve mbi bombardimet amerikane ndaj një baze ajrore siriane, pas sulmit me armë kimike ndaj civilëve që besohet se u krye nga forcat siriane.
Vizita e kryediplomatit rus duket të jetë një hap përpara në marrëdhëniet jo të mira mes Moskës dhe Uashingtonit. Në një konferencë shtypi në muajin prill në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha, “Aktualisht nuk kemi marrëdhënie aspak të mira me Rusinë”.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar për shkak të akuzave për bashkëpunim mes Rusisë dhe individëve që punonin për fushatën presidenciale të zotit Trump, që shumë vëzhgues besojnë se mund të ketë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit.
Në konferencën e tij të shtypit të mërkurën, Lavrov iu kundërpërgjgj me shpërfillje pyetjeve rreth mundësisë së ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e SHBA. “Nuk e mendoja kurrë se do të duhet t’i përgjigjem pyetjeve të tilla, veçanërisht tani që ndodhem në SHBA”, u tha Lavrov gazetarëve. “Nuk ka asnjë fakt të vetëm, asnjë dëshmi bindëse në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane”.
Të martën, Trump shkarkoi nga detyra drejtorin e FBI-së, James Comey, i cili ka udhëhequr hetimet mbi lidhjet e mundshme mes individëve të afërt me fushatën e zotit Trump dhe zyrtarëve rusë. Deri më tani, hetimet nuk kanë zbuluar asnjë provë që vërteton akuzat për bashkëpunim mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.
Agjencia e lajmeve, “Reuters” njoftoi të mërkurën nga Moska se Kremlini kishte thënë se shpresonte që shkarkimi i zotit Comey nuk do të ndikonte në lidhjet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se besonte se shkarkimi i tij nuk kishte të bënte me Rusinë.
Ish-ambasadori amerikan në Moskë, Alexander Vershbow, i cili tani punon në institutin kërkimor të Këshillit të Atlantikut, i tha “Zërit të Amerikës” se të dy vendet kanë shumë punë për të bërë në lidhje me gjetjen e një qasjeje të përbashkët mbi çështjen e Sirisë.
“Për Sirinë, dy vendet pretendojnë se duan të njëjtën gjë, fundin e luftës civile dhe kalimin në një lloj qeverie të re të pranueshme për të gjithë popullin e Sirisë. Por, kur flasim për hollësitë e një zgjidhjeje, nuk jemi dakord për asgjë”, tha ish-ambasadori Vershbow.
Ai thotë se pika kryesore e mospajtimit mbetet e ardhmja e presidentit sirian, Bashar al-Assad. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të tjera thonë se Al-Assad duhet të japë dorëheqjen, por Rusia e mbështet atë. Një çështje tjetër është marrëveshja për krijimin e zonave të sigurta, e nënshkruar nga Rusia, Irani dhe Turqia. Marrëveshje u arrit javën e kaluar gjatë bisedimeve në Astana të Kazakistanit, ku Shtetet e Bashkuara dërguan vetëm një diplomat, në rolin e vëzhguesit.