Jemi akoma herët për përplasje

Frrok ÇUPI

Na çmendën këta që thonë se më datë 13 do ‘të ketë përplasje’. Na çmendën jo nga frika, por nga idiotësia dhe zhurma. Meqë Opozita do të manifestojë kombëtarisht kundër qeverisë së keqe, atëherë thonë ‘përplasje’. Këta, edhe pse kanë lindur në kohë- dmth., në një çast të kohës, nuk kanë mësuar asgjë nga koha.
Nuk është koha për përplasje; por këta nuk e dinë ose nuk duan ta dinë, ose iu duhet të bëjnë sikur ‘dikush e ka thënë’. Të gjitha- Zero. Koha për përplasje mund të vijë, me kaq shumë shkaqe sa ka krijuar bota!; por kjo e tanishmja nuk është koha për përplasje.
Fillimisht është herët, sepse ‘cili me cilin do të përplasen?’.
Nuk po them siç bëjnë boshllëkët nacionalistë se ‘jemi të gjithë vëllezër’ shqiptarë dhe nuk kemi pse… Po them se ditën e 13 Majit, në sheshet e vendit do të ketë vetëm Opozitarë, demokratë e të tjerë. Sigurisht që këtu janë edhe socialistët, majtistët e tjerë ‘integrues’ apo ‘librues’, apo ‘sfidues’, por ata as kanë shpallur përplasje dhe as kanë dalë nga lloji. Ata, të gjithë po kërkojnë ‘diçka’ nga kjo tokë e mbjellë me narkotikë, ose nga këto zyra të mbjella me poste. Mirëpo, këtyre iu pret puna dhe mund të presin edhe në shtëpi. Edhe vetë socialistët janë në shtëpi; asnjë prej tyre nuk ka arsye të dalë në sheshe. Socialistët e ringjallur pas viteve ’90, nuk kanë shumë interesa te qeveria që po kundërshtohet nga protesta e Opozitës. Gjithë ‘mjaltin’ e pushtetit, nuk e morën socialistët; e morën ose një dorë njerëzish të ‘sojit’, ose disa të huaj-miq të këtyre…Askush nuk ka pse përplaset… cili me cilin!
Në 13 nuk do të ndodhet në Shqipëri as vetë kryeministri që është objekt i përplasjes së përfytyruar. Kryeministri atë ditë do të jetë ‘piktor’, jo ‘kryeministër’; ka fituar një garë në piktura dhe do të çelë një ekspozitë në Itali. Shqipëria, në 13 nuk do të ketë as kryeministër. Deri tani kanë rënë disa kolona të shtetit: Ka rënë Kuvendi, sepse ka mbaruar afati; ka mbaruar afati edhe i Avokatit të Popullit; është paralizuar Drejtësia për shkak të Vettingut të sajuar keq dhe të mbetur në tentativë; po mbaron afati i Presidentit; presidenti i zgjedhur është zgjedhur vetëm nga një krah dhe mund të rrëzohet në krahun tjetër… Edhe institucioni i zgjedhjeve ra: E para, sepse janë të paligjshme për shkak të regjistrimit jashtë kohe; e dyta, sepse nuk mund të ketë zgjedhje pa praninë e opozitës.
… Është akoma herët për përplasje; jo se nuk do të ketë përplasje, po të vazhdojnë të luajnë me të drejtën hyjnore të njeriut.  Qeveria nuk është për ta vendosur të drejtën hyjnore të Njeriut, por për ta mbrojtur; këtu po ndodh e kundërta, prandaj po them se mund të ketë përplasje. Ndryshe nuk do të kishim pasur Promethe… Por përplasja është akoma herët. Sepse këta që nuk lëshojnë në të drejtat e Opozitës dhe të Zgjedhjes (që në fakt janë të drejta të Zotit për njeriun), nuk lëshojnë akoma se presin një ditë që të lëshojnë. Kjo këtu është një zonë ballkanike e vuajtur nga sundimi i vonë i imperatorive të egra, dhe akoma nuk ka ardhur në parametra që sunduesi ta dorëzojë sundimin aty për aty. Jo, sunduesi do të vijë vërdallë, herë rreth Çadrës, herë rreth Italisë, herë rreth fshatrave…, për të ardhur në dorëzim. Kjo po ndodh; nuk po ndodh përplasja. Më 13 është edhe parada e grupit LGBT; edhe këta kanë ardhur vërdallë, derisa u shfaqën serbes edhe në Shqipëri. Burrat “e fortë” që përfytyrojnë tellallët e ‘përplasjes’, janë në varre.
… Pse të ketë përplasje në 13? Burrat e shtetit ‘qeveritarë’ janë në varre; ndërsa opozita nuk ka asnjë plan dhe interes për përplasje. Jo se Opozita i mori paratë e drogës, mori edhe privilegjet, mori edhe hajdutët e, tutje…; jo, jo! Por sepse Opozita, brenda 70 ditësh arriti fitoren; në Kavajë qeveria i dorëzoi armët; edhe në zgjedhjet e 18 qershorit nuk mund të shkojë pa opozitën, sepse bëhet nami në gjithë botën…
Nuk është koha për përplasje. Më në fund u binda qind për qind kur lexova letrën e një komisioneri të BE drejtuar popullit shqiptar. Jahannes Hahn është bërë komisioner veç për arsyen se ka shqiptarë; ndryshe nuk do ta njihte njeri në botë. Por kur ky shkroi sot plot nerv se ‘do të ketë zgjedhje pa opozitën’, atëherë kuptova prapë se në kampin BE ka nervozizëm. Kuptova se protesta e Tiranës i ka mposhtur edhe ata. Në fakt, BE është e mposhtur që pas Brexit, por përpiqet të ngrihet me kërcënime kundër kombeve në Lindje. Hahn tenton ta mbajë situatën si në ‘tel akrobati’; sot thotë ‘jo pa opozitën’, nesër thotë ‘po pa opozitën’. Demagogjia e ka rrënuar BE-në. Europa nuk ka ndarë akoma ‘çfarë’ është ‘çfarë’. Atje nuk dihet cilat akse do të kalojnë mbi këtë rajon; cila do të jetë: Britania apo Turqia që do të dominojë?! Apo Rusia? Apo Balkxit që është largimi total i Ballkanit? Zgjedhja e një centristi pro-BE në Francë ka krijuar më shumë probleme se të ishte zgjedhur Le Pen, anti-BE. Edhe ‘guri’ i fundit, boshti Paris-Berlin po lëkundet keq… Këta si Hahn, që janë edhe të pa zgjedhur, nuk duan të dinë asgjë çfarë bëhet. Në gjithë rajonin po vjen rrotull konflikti, por pa zënë vend dhe pa u shëruar nga BE; akoma nuk ka vija.
E si mund të ketë përplasje pa e ditur ‘cili’ se ‘çfarë’!?… Nuk them se mund të mos jetë një herë, por tani nuk është koha për përplasje.