Gjykata lë në burg pa afat mësuesin monstër

Gjykata e Tiranës la dje nën masën e sigurisë “burg pa afat” mësuesin e shkollës 9-vjeçare të Kasharit, i cili u arrestua tre ditë më parë nën dyshimin se kishte ngacmuar një nxënese 14-vjeçare. Para togave të zeza avokati i mësuesit Hasan Martani ka deklaruar pafajësinë e klientit të tij, dhe ka kërkuar lirimin e tij, pasi sipas mbrojtësit të tij ligjor 64-vjeçari nuk ka kryer asnjë vepër penale. Në të kundërtën, Prokuroria vlerësoi se ka prova të mjaftueshme për të mbajtur në qeli mësuesin e akuzuar për ngacmim.
Gjykata në vlerësim të provave të paraqitura vlerësoi si të drejtë kërkesën për të lënë në burg pa afat 64-vjeçarin. Tre ditë më parë Hasan Martani u vu në pranga, pasi ai dyshohet se në mënyrë të përsëritur në ambientet e shkollës ka kryer veprime të turpshme me një nxënëse 14-vjeçare. Pas kallëzimin të bërë në polici, në prani të psikologut, vajza ka treguar ngjarjen. Ajo ka dëshmuar se mësuesi i saj i Matematikës dhe njëkohësisht mësuesi kujdestar e mbante në klasë dhe kryente veprime të turpshme me të, duke e puthur e prekur në zona intime. Mësuesi ka mohuar akuzat dhe ka thënë se ka patur një marrëdhënie korrekte mësues-nxënës.