Delegacioni i Kongresit amerikan në Kosovë

Një delegacion i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së, po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite në disa vende të Ballkanit, për të diskutuar çështje të ndryshme që ndërlidhen me rajonin.
Delegacioni dypartiak i Kongresit amerikan i udhëhequr nga kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresisti Bob Goodlatte ka nisur vizitën në Kosovë me takimet me zyrtarë qeveritarë, ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe kryeministrin Isa Mustafa.
Delegacioni, sipas axhendës, takohet edhe me një pjesë të shoqërisë civile.
Vizita e përfaqësuesve të Kongresit amerikan në Kosovë bëhet pas qëndrimit në Maqedoni dhe Shqipëri dhe bisedave me zyrtarët e lartë atje për çështjet që ndërlidhen me dy vendet.
Delegacioni i Kongresit amerikan zhvillon vizitën në Kosovë në kohën kur janë shpallur zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare, të nxitura nga shpërbërja e Kuvendit, pas një mocioni mosbesimi për qeverinë nga ligjvënësit e Kosovës.