Bilanci qesharak i investimeve, vetëm 19.3 km rrugë më 2016-ën

Ashtu si në çdo sektor, edhe në investimet publike qeveria shënon një dështim të madh përsa i përket ndërtimit të rrugëve të reja. Në katër vite të qeverisjes nuk shënohet asnjë investim i qenësishëm. Qeveria tenderon ndërtim e rikonstruksion rrugësh por deri më sot, megjithëse paratë alokohen asnjë ndërtim i tillë nuk rezulton i shndërruar në realitet.
Në të gjithë Shqipërinë, vitin e kaluar u ndërtuan vetëm 19.3 kilometra rrugë. Shifra, e cila përbën rezultatin më të dobët që nga viti 1997 u publikua nga vetë Ministria e Transportit në raportin vjetor të monitorimit të buxhetit. Më konkretisht, sipas ministrisë gjatë vitit 2016 qeveria ndërtoi 5.68 kilometra rrugë me fonde të brendshme dhe 13.69 kilometra të tjera me financim të huaj. “Grupi i produktit ‘Ndërtim rruge’ i shprehur në sasi për 12-mujorin e vitit 2016 është realizuar ndaj planit vjetor përkatësisht 96% ose 5,68 km me financim të brendshëm, ndërsa në lidhje me financimin e huaj janë planifikuar 27.83 km dhe janë realizuar 13.69 km ose 49.2% të planit total të çelur të këtij zëri”, thuhet në raportin e Ministrisë së Transporteve.
Por edhe pse kilometrat e rrugëve kanë qenë të paktë, taksapaguesit kanë paguar një faturë të kripur për ndërtimin e tyre. Sipas Ministrisë së Transporteve, buxheti pagoi 12.2 miliardë lekë ose rreth 100 milionë dollarë amerikanë për ndërtimin e këtyre 19.3 kilometrave. Kjo do të thotë se gjatë vitit të kaluar 1 kilometër rrugë kushtoi rreth 5.2 milionë dollarë.
Kostoja për kilometër rrugë ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit dhe pse çmimet e lëndëve të para që përdoren në ndërtimin e tyre është ulur. Në vitin 2013, Shqipëria ndërtoi 73 kilometra rrugë ose 4 herë më shumë se sa vitin e kaluar. Por kostoja mesatare për kilometër rezultoi 3.6 milionë dollarë ose 60 për qind më e ulët. Qeveria aktuale është akuzuar në mënyrë të përsëritur nga opozita për abuzime me tenderat publike. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi pak ditë më parë se qeveria e Ramës ka vjedhur 2.8 miliardë euro në katër vite, para të përvetësuara përmes klientëve të saj.
Partia Demokratike ka denoncuar se shumë tendera fitohen jo vetëm nga klientë të qeverisë, por edhe biznese të deputetëve ose zyrtarëve të lartë të mazhorancës aktuale.