Baloteli fitoi miliona se nuk mori të kuqe

Libri “The Dirty Side of Football” (Ana e ndotur e futbollit), i publikuar nga gazetarët e “Der Spiegel” me bashkëpunimin e “Football Leaks”, ka në përmbajtjen e tij detaje të klauzolave shumë të çuditshme që kanë përfituar futbollistë të ndryshëm.
Një mjaft e veçantë është ajo e Mario Balotelit, i njohur për karakterin e tij problematik në sezonin 2014-2015. Ai ka përfituar te Liverpuli një bonus mjaft të veçantë prej 1 milion paund (1,3 milionë euro). Futbollistit i mjaftoi që të mos dilte tre herë me të kuqe gjatë sezonit për të përfituar këtë shumë të vendosur në kontratën e tij.
Edhe Karlos Tevez ka klauzola mjaft fitimprurëse në kontratën e tij me Shangai Shenhua. Sikur të mos mjaftonte rroga prej 38 milionë euro në vit, Tevez do të përfitojë 950 mijë euro të tjera nëse luan 70% të ndeshjeve të klubit. E njëjta shifër i jepet edhe nëse fitohet kampionati, 1,9 milionë euro nëse Shangai fiton Kupën e Kampioneve të Azisë si dhe 460 mijë euro nëse argjentinasi shpallet golashënuesi më i mirë i kampionatit.
Ndërkaq, është zbuluar edhe arsyeja pse Bastian Shvajnshtajger nuk polemizonte me Murinjon që e linte në stol ose edhe me ekipin e dytë. Në kontratë kishte një klauzolë që i hiqte dy javë rrogë për çdo protestë publike ndaj trajnerit.
Në fund, gjermani është paguar 12,53 milionë paund për eksperiencën e tij tërësisht të dështuar në Angli, duke përfituar praktikisht 5963 paund për çdo minutë në fushën e lojës me fanellën e Mançester Junajtid.