Zidane: Zemra ime është juventine

Zinedine Zidane duket mjaft i lumtur që ekipi i tij kaloi pa shumë probleme pengesën Atletiko dhe do të jetë për të dytin vit radhazi, në finalet e Champions League, të cilën e fitoi vitin e kaluar. “Jemi shumë të lumtur që do të jemi në finale, për të dytin vit radhazi. Kam një ekip të madh, me futbollistë të mëdhenj. Merita për gjithçka, është vetëm e tyre”, tha Zidane.
Trajneri francez i Realit, tani duhet të fillojë të mendojë për finalen e 3 qershorit, në Kardif, ku do të përballet me një kundërshtar special për të. “Te Juve jam bërë burrë. Kam kaluar pesë vite dhe për mua do të jetë një përballje speciale, ndaj tyre. Zemra ime është juventine”, tha trajneri madrilen, i cili ka luajtur për torinezët në vitet 1996-2001.
I pyetur mbi forcën e Juventusit dhe ekipin favorit të finales, Zidane largon presionin nga ekipi i tij duke thënë: “Nuk mund të them se jemi favoritë. Është shumë e vështirë t’i shënosh gol këtij Juventusi, por edhe në sulm kanë futbollistë të zotë dhe me kualitet, ndaj nuk do të jetë e lehtë. Nuk mendoj aspak se ne jemi favoritë”.
Ndërkohë, mediat shkruajnë se Cristiano Ronaldo dhe Fernando Torres shkëmbyen ofendime me njëri-tjetrin gjatë ndeshjes Atletiko Madrid-Real Madrid, e vlefshme për gjysmëfinalet e Champions League.
Sherri ndodhi pak para fundit të pjesës së parë dhe menjëherë pas golit të Iscos. Cristiano kishte festuar golin e Realit duke u bërë me shenjë tifozëve kundërshtarë që të mbyllnin gojën. Ky gjest nuk i pëlqeu sulmuesit të Atletikos, i cili përfitoi nga një ndalesë e lojës për t’ia vënë në dukje portugezit.
“Palaço” dhe “bir k…” ishin fjalët që Torres ia përsëriti disa herë Cristianos, ndërkohë që e shtynte me trup dhe madje e pengoi. Ndërkohë, Cristiano vetëm qeshte dhe iu përgjigj duke i thënë “ik në shtëpi, budalla”. Ishte arbitri Çakir ai që i ndau dhe nuk lejoi që situata të dilte jashtë kontrollit.