Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë

Presidenti i Kosovës shpërndau me dekret Parlamentin. Pas konsultave me partitë politike, Presidenti do të caktojë 11 ose 18 qershorin si datë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nënshkroi dekretin për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës duke u hapur kështu rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Në bazë të ligjit aktual për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ato duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga dita e shpërbërjes së Kuvendit.
Ndërkohë  kanë filluar konsultimet me partitë politike për të caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Si data të mundshme përmenden 11 ose 18 qershori. Mirëpo, mediat në Kosovë, rikujtojnë se më datën 18 qershor, zgjedhje do të ketë edhe në Shqipëri, ndërsa, më 11 qershor, Kosova e ka të planifikuar një ndeshje të rëndësishme futbolli me Turqinë që do të mbahet në Shkodër të Shqipërisë. Sidoqoftë, Presidenti tha se pas konsultimeve me të gjitha partitë politike me një konsensus ndërmjet tyre ai do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme që gjithsesi do të jenë në muajin qershor. Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk mori pjesë në takimin e Presidentit Thaçi me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.