Uashingtoni nën presion për marrëveshjen për klimën

Ndaj administratës amerikane po shtohet trysnia për të mbetur e angazhuar ndaj marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, një ish-shef i Kombeve të Bashkuara dhe ish-presidenti amerikan, Barack Obama u janë bashkuar thirrjeve që theksojnë nevojën për veprim për reduktimin e ndotjeve që shkaktojnë efektin serrë në shkallë botërore. Presidenti Donald Trump është zotuar të tërheqë vendin nga marrëveshja e arritur mes 195 vendeve në Paris në vitin 2015, duke thënë se dëmton ekonominë amerikane dhe industrinë e qymyrit. Por të martën, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti po shtyn vendimin për herë të dytë lidhur me marrëveshjen për klimën.
Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë ndotësit më të mëdhenj të botës. Braktisja nga Uashingtoni e marrëveshjen për klimën do të ngadalësonte ndjeshëm përparimet drejt reduktimit të ngrohjes globale. Shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, theksoi pikërisht këtë të martën në OKB.
“Gjithçka është e ndërlidhur. Ndaj presim që Shtetet e Bashkuara të gjejnë mënyrën për të mbetur të angazhuar ndaj marrëveshjes së Parisit. E di që ka një debat dhe e respektoj këtë, por 195 vende kanë nënshkruar një marrëveshje për ndryshimet klimatike dhe do të ketë 195 mënyra të ndryshme për arritjen e synimeve të Parisit dhe respektimin e marrëveshjes. Jam e sigurtë që Uashingtoni do të gjejë mënyrën e vet”.
Në të kaluarën, zoti Trump ka përsëritur se nuk ka prova për ngrohjen globale. Por Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se presidenti ka shtyrë përsëri vendimin në pritje të diskutimeve të mëtejshme me ekspertët.
“Presidenti ka kohë që takohet me ekipin e tij për këtë çështje dhe nuk do të njoftojë ndonjë vendim deri sa të kthehet nga takimi i G-7”, u shpreh për gazetarët zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.
Ish-presidenti Barack Obama ka qenë një mbështetës i zjarrtë i mbrojtjes së mjedisit. Në një forum në Milano të martën, ai shprehu besim se Shtetet e Bashkuara përfundimisht do të ecin në drejtimin e duhur.
“E mira është se si rezultat i punës që kemi bërë gjatë tetë viteve të kaluara, sektori privat ka ndërmarrë vendimin se energjia e pastër është e ardhmja. Tashmë po bëhen investime në energji të pastër”.
Ish-shefi i OKB-së, Kofi Annan tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se vendimi i Uashingtonit nuk do të ndikojë në përpjekjet afatgjata ndërkombëtare.
“Edhe nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen nesër, kam bindjen se do të rikthehen pas katër vitesh apo më pas. Komuniteti i biznesit dhe sektori privat është i vendosur dhe i dinë implikimet”.
Qëndrimi i presidentit për ndryshimet klimatike ka nxitur një seri protestash nga aktivistët e mjedisit, shkencëtarët dhe qytetarët e zakonshëm.