Të miturit që largohen drejt BE, Shqipëria, shifra alarmante

Të vetëm, të frikësuar, dhe duke pritur në një qendër azilkërkuesish, mes të panjohurve, në një vend ku nuk e flasin gjuhën, është situata aktuale për qindra të rinj shqiptarë. Mbi 405 të mitur kanë aplikuar për azil në Mbretërinë e Bashkuar, të pashoqëruar nga prindërit e tyre, duke përbërë grupin e kombësisë së dytë më të madhe, pas Afganistanit. Në total numri i të rinjve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian arrin në 755 dhe vendet më të preferuara pas MB, janë Gjermania dhe Suedia me përkatësisht 110 dhe 105 kërkesa për azil. Shumica e këtyre të miturve largohen me dijeninë e prindërve, të shoqëruar vetëm nga shokë ose të njohur të tjerë, në kërkim të një vendi pune, çka konfirmohet edhe nga mosha mbizotëruese 16-17 vjeç. Shifrat për të miturit që largohen drejt Bashkimit Europian janë edhe më të mëdha, nëse do të llogarisnin edhe ata të cilët nuk bëjnë kërkesë për azil. Vetëm në Itali, sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, janë mbi 1500 të mitur të pashoqëruar nga prindërit në qendrat e pritjes. Një fenomen i tillë nuk ndiqet nga adoleshentët në rajonin tonë, pasi të miturit nga vendet e tjera janë në shifra minimale: nga Serbia, 40 të mitur të pashoqëruar; nga Kosova, 90 të mitur, nga Maqedonia 10, Bosnje dhe Hercegovina 10, dhe nga Mali i Zi asnjë i rritur i pashoqëruar që ka bërë kërkesë për azil. Shifrat megjithatë janë në rënie, krahasuar me 1060 të mitur në vitin 2016. Meshkujt mbizotërojnë në këto aplikime për azil, ndërsa numri i vajzave është vetëm 55.