Lirohet gazetari, Prokuroria: Arrestimi ishte i paligjshëm

Prokuroria urdhëroi dje lirimin e gazetarit Kastriot Myftaraj nga burgu, një ditë pas arrestimit nga Policia e Anti-terrorit. Prokuroria e cilësoi të paligjshëm arrestimin e gazetarit Myftaraj dhe deklaroi se ndaj tij nuk ka asnjë provë për ta mbajtur në qeli. Prokurori, të cilit iu referua çështja, nuk është bindur me provat e policisë dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Myftarajt për mungesë të provave. “Prokuroria e Tiranës, urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Kastriot Myftaraj, pasi nuk ka vepër penale që hetohet nga Prokuroria”, bëri të ditur prokurori i çështjes.
Myftaraj u arrestua mbrëmjen e të martës nga Antiterrori, pasi sipas policisë, ai kishte shkruajtur një shkrim ku i bënte thirrje për vrasjen e ambasadores së BE-së në vendin tonë, Romana Vllahutin, ku mes të tjerave e cilësoi atë si “ku*vë kroate”. Bëhet e ditur se, arrestimi është bërë pas urdhërit të kryeministrit Rama pas një shkrimi kundër ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, i postuar fillimisht në rrjetet sociale prej Myftarajt dhe më pas të botuar në disa media online. Myftaraj e akuzon ambasadoren e BE-së në Tiranë se ka punuar kundër interesave të Shqipërisë, kundër Kushtetutës dhe integrimit të vendit tonë.
Myftaraj është dërguar në Komisariatin Nr.1 në kryeqytet nga Njësia Antiterror. Burime zyrtare të policisë thanë se, arrestimi i 51-vjeçarit erdhi, pasi ai ka botuar në media një shkrim ku bën thirrje të hapura, sipas policisë, për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues. “Ai akuzohet për thirrje publike për veprime të dhunshme”, theksohet në njoftimin zyrtar të policisë, ndërsa sqarohet se për thirrje të tilla, parashikohet një dënim me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Pas arrestimit të Myftarajt ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i cili e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin dhe si një goditje ndaj fjalës së lirë. Në një status të tijin në “Tëitter” Manjani shkruante se, arrestimi i tij është bërë vetëm se shprehu fjalën e lirë. “Myftaraj është arrestuar dhe akuzuar nga Policia! Akuzë ngre vetëm Prokuroria e jo Policia! Ndërkohë është arrestuar për fjalën e lirë…”, shkruante Manjani.
Pas arrestimit të publicistit dhe autorit të disa librave, Kastriot Myftaraj ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Në një deklaratë për mediat, UGSH e konsideron arrestimin e Myftarajt si një masë ekstreme. Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), arrestimet apo burgosjet për shkak të fjalës dhe komentit të lirë në Shqipëri janë një histori e së shkuarës, “e cila nuk meriton në asnjë mënyrë të përsëritet”.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është njohur me rastin e arrestimit të publicistit dhe autorit të disa librave, Kastriot Myftaraj për shkak të një shënimi komentues në të cilin me një gjuhë që shpërfill Kodet e Etikës në komunikimin publik dhe cenon ligjin “Për dekriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes”, shkon deri në kërcënimin verbal ndaj ambasadores së BE-së në Shqipëri. Kjo flagrancë në tekstin e publicistit në fjalë ka pasuar me masën e arrestimit nga ana e Policisë së Shtetit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron këtë një masë ekstreme dhe vlerëson se arrestimet apo burgosjet për shkak të fjalës dhe komentit të lirë në Shqipëri janë një histori e së shkuarës, e cila nuk meriton në asnjë mënyrë të përsëritet. Liria e fjalës dhe e shprehjes duhet të bashkëjetojë me parimet dhe normat etike. Komuniteti i mediave dhe sidomos ai i gazetarëve dhe editorëve shqiptarë le ta pranojnë këtë rast si një mundësi për distancim nga shkeljet dhe përdhosjet etike në komunikimet përmes mediave dhe atë publik. Ne kërkojmë heqjen e prangave për publicistin dhe aplikimin e penaliteteve ligjore, të cilat nuk parashikojnë vetëm burgimin për shkak të fjalës apo publikimit”, thuhet në deklaratën për shtyp të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.

R.POLISI