Kolegji shqyrton me 18 Maj paligjshmërinë e zgjedhjeve

Kolegji Zgjedhor do të mblidhet më 18 maj në orën 12:00 për të shqyrtuar kërkesë padinë e depozituar një ditë më parë nga Partia Agrare Ambjentaliste, për rrëzimin e vendimit të KQZ-së, në lidhje me pranimin e listave të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 18 qershorit. Nga shorti u zgjodhën dhe pesë gjyqtarët që do të shqyrtojnë çështjen, që janë Artur Malaj, Tomorr Shkreli, Ridvan Hado, Gjin Gjoni dhe Sotiraq Lubonja. Relator i çështjes është Gjin Gjoni. Në kërkesën e regjistruiar nga PAA thuhet se, regjistrimi i listës së kandidatëve për deputetë në kundërshtim me procedurën dhe afatet cenon Kodin Zgjedhor dhe çdo cenim i Kodit Zgjedhor nxjerr nul të gjitha vendimet e marra nga ana e KQZ.

Shans për Ramën

Por çfarë ndodh nëse Kolegji e pranon kërkesën e opozitës, për çregjistrim të subjekteve. Natyrisht që 18 qershori bie si datë dhe Presidentit në detyrë i duhet të dekretojë një datë tjetër zgjedhjesh, ose duhet të mblidhet Parlamenti në seancë të jashtëzakonshme për të bërë ndryshimet në Kod. Por në të dyja rastet, kjo s’mund të bëhet pa u konsultuar më parë me opozitën, për arsye se vetë Kodi Zgjedhor ka marrë miratimin e të dy palëve. Vetë kryetari i Partisë Demokratike tha një ditë më parë nga çadra e protestës, se në fakt ky është një shans që i jepet Edi Ramës, për t’u tërhequr nga marrëzia e tij, për të shkuar vetëm në zgjedhje: “Dy rrugë ka, Kolegji Zgjedhor do të ballafaqohet së shpejti me kërkesën për të hedhur poshtë 18 qershorin dhe listat e paligjshme, duke hedhur poshtë sipas ligjit të Republikës së vjetër do t’i japë një shans Republikës së vjetër ta përfundojë misionin e saj, përmes konsensusit dhe negociatave”, tha Basha.

Arsyetimi

Nga arsyetimi duket qartë se, pas shkeljes së afateve të regjistrimit, zgjedhjet e 18 qershorit kanë rënë dhe Kolegjit tashmë i mbetet në dorë që të rrëzojë këtë fasadë zgjedhjesh farsë, që kërkon të organizojë Rama. Kolegjit tashmë i mbetet vetëm një rrugë, në rast se vërtet do të zbatojë ligjin, të rrëzojë datën 18 qershor, e cila juridikisht është rrëzuar nga vetë mazhoranca me shkeljen e afateve. Në tentativë për të ndikuar në vendimin e Kolegjit, Rama do nxirrte dje dhe kryetarin e KQZ, që është shkelësi kryesor i ligjit, për të argumentuar se PAA vërtet është regjistruar si subjekt po ska dorëzuar kandidatë. Në fakt, ajo që bëri Biba, ishte vetëm një orvatje për të justifikuar shkeljen e ligjit që ai ka bërë me urdhër të shefit të tij, dhe një tentativë për të ndikuar në vendimin e Kolegjit. Partia Agrare Ambjentaliste, por edhe opozita në përgjithësi, ka të gjithë të drejtën të ankimojë në Kolegj në rast se shikon shkelje të ligjit nga ana e institucionit që drejton Biba. Gjithsesi, duket se fjalët e Bibës deri më tani pak kanë ndikuar në vendimmarrjen e Kolegjit, i cili ka pranuar kërkesë padinë e PAA dhe ka lajmëruar seancën më 18 qershor.