Hahn: Kosova do të përballet me sfida të mëdha

Rrëzimin e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Isa Mustafa, pas një vote mosbesimi në Parlament, komisoneri Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, nuk e ka pritur mirë, duke ju rikujtuar liderëve politikë kosovarë sfidat që i presin.
“Më vjen keq për votën e mosbesimit të sotëm në Parlamentin e Kosovës. Liderët e politikës dhe institucionet nuk duhet të harrojnë sfidat e mëdha që Kosova do të përballet”, shkroi Johanes Hahn në Twitter.
Edhe ambasada e SHBA-së në Kosovë që ishte më e zëshmja që Parlamenti ta votojë demarkacionin, moskalimi i të cilit u bë shkas për rënien e qeverisë, thotë se vendi duhet të lëvizë drejt një tranzicioni stabël.
“Kuvendi e tha fjalën e vet. Përderisa vazhdon procesi i tranzicionit dhe vendi lëviz në drejtim të zgjedhjeve të parakohshme, ftojmë të gjithë zyrtarët e mbetur në qeveri që të zotohen përsëri në shërbim të punëdhënësve të tyre, gjegjësisht të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Ne vazhdojmë të jemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Kosovën, qytetarët e saj dhe rrugëtimit të saj drejt integrimit të plotë euro-atlantik”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.
Sidoqoftë, Komisioni Qendror Zgjedhor, tashmë ka deklaruar se është i gatshëm të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Në momentin që Presidenti i shpall zgjedhjet, KQZ menjëherë e ka për obligim të marrë masat e duhura në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë i rregullt dhe transparent”, thotë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, duke ftuar subjektet politike që të respektojnë ligjin për zgjedhjet dhe Kushtetutën e vendit.