Finalja e Kardifit

Real Madrid-Juventus do të jetë finalja e madhe e Kardifit. Los blancos humbën 2-1 ndeshjen e kthmit në “Vincente Calderon”, por falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë mundën të kalojnë më tej pavarësisht se skuadra e Simeones i bëri një nisje të përsosur sfidës në kërkim të përmbysjes. Derbi europian i Madridit nisi furishëm për vendasit që krijuan iluzionin e një kthese të rezultatit për të pranishmit në “Vincente Calderon” teksa Saul në të 12-tën i dha epërsinë bardhekuqve. 2 minuta më pas, Atletiko shënoi dhe të dytin me 11-metërsh me Griezmann që nuk gaboi përballë Keylor Navas. 2 golat menduan se do të çorodisnin Realin, por Los Blancos e morën veten nga goditja e shpejtë dhe ulën ritmin duke shënuar madje në fundin e pjesës së parë dhe me Iscon, golin që vrau çdo shpresë të Atletikos. Pavarësisht dëshirës së vendasve në pjesën e dytë për të patur një shpresë në këtë ndeshje 3 gola ishin vërtet shumë përballë një skuadre si Reali, që me rezultatin e përgjithshëm 4-2 shkoi në finale, ku do të kërkojë në Kardif të ngrejë lart trofeun e 12-të të Uefa Champions League për klubin spanjoll.
Finalja e Ligës së Kampioneve të këtij edicioni është Juventus-Real Madrid. Pas bardhezinjve që prenë të martën në mbrëmje biletën e tyre, të mërkurën siguroi pjesëmarrjen në takimin e Kardifit edhe Real Madrid, ndonëse u mund 2-1 nga Atletiko Madrid në sfidën e dytë gjysmëfinale.
Reali shkonte në këtë derbi me një avantazh të ndjeshëm falë fitores 3-0 në takimin e parë. Por brenda pak minutash, çdo siguri e skuadrës së Zidan u shua, pasi fillimisht Saul e më pas Griezman me penallti ndëshkuan Realin. 2-0 që në minutën e 15 dhe vetëm një gol larg rihapjes plotësisht të kualifikimit.
Megjithatë, skuadra e Simeones bëri gabimin që uli disi ritmin dhe nga ky moment përfitoi Reali që u riorganizua dhe filloi të shikonte gjithnjë e më shumë drejt katërkëndorit kundërshtar, derisa gjeti golin me Isko pak para mbylljes të këtij fraksioni të lojës. Merita ishte e gjitha e Benzema, i cili me një lëvizje të jashtëzakonshme kaloi tre mbrojtës të Atletikos para se të dërgonte topin te Kros, gjuajtja e këtij të fundit u bllokua nga Oblak, por Isko, pak hapa larg, nuk e kishte të vështirë të dërgonte topin në rrjetë.
Për Atletikon, kualifikimi u bë mision i pamundur, pasi në pjesën e dytë duhej të realizonte tri gola. Por skuadra e Simeones nuk gjeti më momentin e duhur për të dërguar topin në rrjetë, e ndalur shpesh nga ndërhyrjet e Navas, në një formë të shkëlqyer. Ndaj vërshëllima përfundimtare nisi festën e Realit pas humbjes 2-1, ndërsa edhe Atletiko mori duartrokitjet e merituara të publikut të “Vicente Kalderon” që pa për herë të fundit një ndeshje ndërkombëtare para se të shembet për t’i lënë vendin stadiumit të ri modern.
Ndërkohë, ish-trajneri i Milanit, Arrigo Sachi, insiston se Juventus ka një skuadër të kompletuar dhe është favorite përballë Real Madridit. “Juventus është favorite, është e fortë sikurse një tank lufte. Çdo herë po kanë dhe më tepër vetëbesim”, tha Sachi për Premium Sport.