Ballina Sport Chelsi gati rinovimi me Conten

Chelsi gati rinovimi me Conten

Chelsea shuan shpresat e Interit për një kthim të mundshëm të Antonio Contes në Serinë A. Pas zërave të ditëve të fundit se drejtuesit zikaltër do të bëjmë çmos për ta bindur trajnerin italian që të marrë drejtimin e skuadrës milaneze, vjen dhe reagimi nga mediat angleze. Në pritje të zyrtarizimit të titullit kampion në Premier League, që mund ndodhë që këtë javë nëse Chelsea arrin të mposhtë West Bromwich, drejtori teknik i bluve të Londrës, Michael Emenalo po punon edhe për rinovimin e kontratës së Contes, i cili e ka të qartë se trofeu i Premier Leagues do ta rriste automatikisht pagën e tij. Pronari rus Roman Abramoviç e ka praktikë punë që e shpërblen menjëherë trajnerin fitues. Kontrata e re e Contes do të jetë e vlefshme deri në vitin 2019. Vështirë të mendosh se mund të ndodhë e kundërta, pra që Conte të refuzojë dhe të kërkojë të marrë drejtimin e Interit, për ta nisur nga pika zero. A i ka ndërtuar një skuadër që ka marrë shumë nga karakteri i tij fitues dhe me siguri do të ngrejë shumë më lart stekën, duke pretenduar Champions Leaguen, kompeticion që e ka shijuar si futbollist, por ende jo si trajner.
Është e qartë se te Chelsea nuk janë problem paratë për të mbajtur Antonio Conten. Aktualisht paguhet rreth 5.5 milionë euro neto në sezon, plus bonuset, shifër që e rendit në vendin e shtatë në listën e trajnerëve më të paguar në botë, por Abramoviç pas vitit të parë që po mbyllet me titullin në Premier League, do t’i ofrojë një pagë të re më të lartë që mund të shkojë nga 8–9 milionë euro në sezon. Një shifër kjo ndoshta ende larg shumës 10 deri 15 milionë, që mund të ofrojë Interi, por e mjaftueshme për ta kënaqur italianin, i cili ndihet më komod në një skuadër ku mori shumë shpejt frytet e punës së tij.
Te Chelsea janë shumë të irrituar me presingun që po ushtron Interi, për të rrëmbyer trajnerin Antonio Conte, në fund të sezonit. Bosi rus i londinezëve, Roman Abramoviç ka gati rinovimin e kontratës me Conten, me shifra më të larta se aktualja, si dhe dëshiron t’i japë garanci për një merkato të çmendur verore. Por, pavarësisht të gjithave, duket se te Inter nuk kanë ndërmend të dorëzohen dhe do të provojnë deri në fund, të rikthejnë në Itali Conten. Zikaltrit duan t’i besojnë atij projektin e ringritjes së klubit dhe kanë në favor dëshirën e trajnerit për t’u rikthyer në Itali, ku vazhdon të jetojë gruaja dhe vajza e tij.
Nga ana tjetër, Chelsea është vetëm tre pikë larg titullit kampion të Premiere League dhe londinezët janë gati t’i premtojnë Contes, merkato të çmendur, për të qenë konkurrues në edicionin e ardhshëm të Champions League. Dilema e Antonio Contes është vërtetë shumë e madhe dhe pritet të marrë zgjidhje brenda muajit maj, pasi të jetë luajtur edhe ndeshja e fundit e kampionatit anglez, më datë 21.

Exit mobile version