“Berisha zemra jonë”, arrestohet tifozi për banderolën në stadium

Policia e Shkodrës arrestoi dje një tifoz pse kishte vendosur një banderoplë në stadium ku shkruhej “Berisha zemra jonë”. Dje në stadiumin “Loro Boriçi” në qytetin e Shkodrës u luajt ndeshja e radhës për Superligën shqiptare mes Vllaznisë dhe Luftëtarit, e cila përfundoi me rezultatin 2-2. Por, ajo që ra në sy dhe shënjoi këtë takim nuk ishte rezultati, por parulla e një tifozi shkodran që lexonte, “Berisha zemra jonë”. Dhe si për të mos përfunduar me kaq, Policia kryen arrestimin e një tij me arsyetimin se është një mesazh politik. Një qytetar i ndodhur në stadium në ato momente shkruan në portalin “Jeta Osh Qef” se në stadiumin e Shkodrës një tifoz i Vllaznisë hapi një parullë të vogël “Berisha zemra jonë” dhe Policia e Shkodrës e arrestoi direkt. “Nuk jemi në kohën e Enverit, ju lutem, se po na trajtoni si kriminelë, ne thjesht tifozë jemi”, përfundoi ai.
Mesazhet e çfarëdo lloji sa kohë nuk janë fyese apo me përmbajtje racore lejohen në çdo stadium të botës, ndërsa në Shqipëri edhe pse një mesazh pa asnjëlloj përmbajtjeje nuk u lejua të hapet.  Shpeshherë kemi parë që nëpër stadiume të ndryshme hapen banderola me dedikime apo edhe me mesazhe politike dhe askush nuk i ngacmon tifozët, aq më pak t’i arrestojë. Nuk është hera e parë që Policia sillet në mënyrë të dhunshme me tifozët e ekipeve shqiptare. Ka mjaft raste dhe të përsëritura madje, ku më i freskëti është ai i ndeshjes Partizani-Kukësi, ku pas ndeshjes Policia rrethoi qindra tifozë, duke i trajtuar si kriminelë të rrezikshëm.
Në Shkodër, Rama ka nisur reprezaljet dhe sulmet ndaj opzitës. Para pak kohësh, policia shpalli në kërkim kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike pse organizoi një protestë kundër Ramës gjatë një vizite të tij tek Universiteti. Studentët e qëlluan Ramën me vezë dhe domate, ndërsa forcat e Gradës dhe të policisë shpërndanë me dhunë protestuesit.
Para disa ditësh, ai ishte në Shkodër dhe hodhi akuza ndaj kryetares së Bashkisë për mos kryerjen e punimeve të Urës së Bunës. Ndonëse kjo urë ishte në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, Rama sulmoi qëllimisht kryetaren e Bashkisë së Shkodrës që është zgjedhur nga PD.
Gjatë këtyre viteve të qeverisë së majtë, Rama e diskriminoi Shkodrën, duke mos bërë asnjë investim. Rama gjoja riparoi stadiumin, por pasi vodhi miliona euro (nga 7 milionë euro të planifikuara, thuhet se ka shkuar 17 milionë euro), akoma nuk e keni dorëzuar. “Përsa i takon Fototekës, fondi që dha qeveria juaj është një pikë ujë me atë që bëri qeverisja demokratike. Ju bëtë vetëm retushimin e asaj që bëmë ne. Ndërsa për riparimin e Teatrit, dua t’ju them se më shumë ka kushtuar mobilimi i paradhomës së zyrës kryeministrore, se sa investimi për Teatrin, për të cilin po mburreni aq shumë…. Pra për Shkodrën nuk keni investuar asgjë kryeministër! Përkundrazi jeni kujdesur që Bashkia Shkodër të mos fitojë asnjë projekt. Këtë tashmë e dinë gjithë shkodranët dhe mezi po presin të kthejnë “reston”. Megjithatë, duhet ta pranojmë se ju keni bërë diçka për shkodranët: na ke bërë jetën më të vështirë, na le pa punë, na shkatërrove biznesin”, thuhej në një njoftim të PD Shkodër.

R.POLISI