Bajern në telashe, Havi Martinez thyen këmbën

Për mbrojtësin Havi Martinez, sezoni duket se ka mbaruar pas një dëmtimi serioz në këmbën e majtë. Sipas klubit bavarez, 28-vjeçari, gjatë një vizite në vendlindje, ka thyer klavikulën e këmbës së majtë pas një ecjeje malore. Pas këtij incidenti, ai është operuar në Mynih nga profesori Hans Hertlain.
Këtë të shtunë, skuadra e Bajernit do të luajë ndaj Lajpcigut dhe, pas një jave, me Fraiburgun. Përveç Martinezit, do të mungojnë në këto ndeshje edhe Manuel Nojer dhe Sven Ulraish. Spanjolli duket se ka një histori jo të mirë me dëmtimet në skuadrën bavareze.
Ai ka mbetur jashtë fushës për një kohë të gjatë në vitin 2014 (u dëmtua në kupën e gjurit, në Kupën Gjermane ndaj Borusias së Dortmundit). Pas kësaj, u përball sërish me një dëmtim (për rreth një vit vuajti problemet me tendinën dhe meniskun). Në total, ai ka humbur plot 59 ndeshje në 1.5 vite dhe shkak kanë qenë dëmtimet.
Në këtë sezon, Martinez ka qenë një prej lojtarëve me performancën më të mirë në radhët e skuadrës bavareze. Ai ka marrë pjesë në 37 takime, në të cilat ka shënuar në total dy gola. Dy kolegët e tij, Mats Humels dhe Zherom Boateng, kanë qenë po ashtu të dëmtuar.