Vjen Sabatini

Valter Sabatini pritet të vijë në klubin zikaltër, që nga dita e sotme dhe besohet se do të jetë drejtuesi që “Suning” do t’i besojë organizimin e klubit, për sezonin e ardhshëm dhe në vijim. Sabatini është një adhurues i punës së Luciano Spalletit, ndaj trajneri aktual i Romës pritet të sponsorizohet si trajner i ardhshëm zikaltër. Ende nuk dihet nëse njeriu i merkatos te Inter, Piero Ausilio, do të vazhdojë të qëndrojë akoma në detyrë, sepse kontrata i mbaron në qershor dhe ardhja e Sabatinit duket se i mbyll derën rinovimit me të.
Ndërkohë dalin detaje të reja mbi shkarkimin e Stefano Piolit, tre javë para fundit të sezonit. Zikaltrit duket kanë mësuar mbi një paramarrëveshje të Piolit për të drejtuar Fiorentinën, nga sezoni i ardhshëm dhe nuk iu ka pëlqyer aspak kjo sjellje e ish-trajnerit. Gjithashtu, mediat italiane hedhin hipotezën se mund të ketë qenë pikërisht Sabatini, ai që ka kërkuar ndërprerjen e menjëherëshme të marrëdhënies me trajnerin Pioli.
Kohët e fundit, Inter është kthyer në një kantier të hapur, pasi krahas përforcimit të ekipit me futbollistë të tjerë, pritet edhe një rinovim i stafit, në nivel drejtues. Kështu, krahas Sabatinit, Lele Oriali është një tjetër ish-drejtues, që pritet t’i bashkohet projektit të ardhshëm të Interit, ndërsa për drejtimin e ekipit po synohen trajnerë me peshë si Conte dhe Simeone.