Raporti, zbardhen fitimet e Ibrës, Pogbasë dhe Raiolës

Zlatan Ibrahimoviç është lojtari më i paguar i Premier Ligës dhe fiton dyfishin e shumës së Pol Pogba. 35-vjeçari është transferuar në ekipin e Mançester Junajtid nga skuadra franceze e PSG-së, duke shënuar 28 gola, deri në momentin kur pësoi një dëmtim të rëndë në gju muajin e kaluar.
Sipas burimeve, suedezi ka nënshkruar fillimisht një kontratë njëvjeçare me një shpresë për një rinovim, por pas dëmtimit të fundit, nuk dihet nëse do të ketë një të tillë. Megjithatë, Ibrahimoviç fiton 367.640 paund në javë ose me fjalë të tjera, 19.1 milionë paund në vit, si dhe një bonus për golat e shënuar, i cili arrin në shifrën 2.86 milionë paund.
Nëse Ibrahimoviç vendos të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm me anglezët dhe nëse skuadra arrin në Champions, ai do të paguhet rreth 500.000 paund. Nëse ata do të arrijnë në çerekfinale, shifra arrin në 1.25 milionë, në gjysmëfinale 2.27 dhe në finale plot 5.25 milionë paund.
Pogba – Nga ana tjetër, Pol Pogba nuk është ende në të njëjtin nivel me suedezin, edhe pse mban rekordin botëror të një transferte. Sipas informacioneve, 24-vjeçari fiton sa gjysma e shokut të skuadrës, Ibrahimoviç. Paga javore e tij është 165.588 paund, por kjo nuk është gjithçka që shkruhet në kontratën prej 41 faqesh.
Ylli francez thuhet se do të arrijë kuotën vjetore prej 1.87 milionësh në sezonin e ardhshëm dhe 255.000 paund për të drejta imazhi nëse skuadra kualifikohet në Champions. Pogba raportohet të fitojë një bonus prej 3.46 milionësh sezonin e ardhshëm dhe një rritje për çdo sezon prej 980.000 paundësh nëse ai zgjidhet “Lojtari i vitit” nga FIFA.
Raiola – Përpos kësaj, agjenti, i cili ka mundësuar marrëveshjet për këto dy transferta, Mino Raiola, ka përfituar plot 41.39 milionë paund për të dyja transfertat.
Gjithashtu, ai thuhet se është paguar 22.8 milionë për transfertën e Pogbasë dhe pritet të marrë edhe 16.39 milionë për 5 marrëveshje të tjera. Nga ana tjetër, Mançester Junajtid ka paguar edhe 2.2 milionët hua për Pogbanë në agjencinë e Raiolës me bazë në Monako.