Kongresmenët-Metës: Të shqetësuar për drogën

Kultivimi  masiv i drogës dhe rreziku që vjen ndaj tij për vendin ka qenë një ndër shqetësimet kryesore të ngritura në takimin e delegacionit të kongresmenëve amerikanë me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend me fokus të veçantë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, avancimin e reformës zgjedhore, zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë, rritjen e buxhetit në fushën e mbrojtjes në kuadër të NATO-s dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe kredencialeve demokratike të Shqipërisë. Dy palët diskutuan gjithashtu edhe mbi forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku vëmendje e veçantë iu kushtua fenomenit të trafiqeve të paligjshme të lëndëve narkotike dhe kultivimit masiv të drogës në vend si një aktivitet që lidhet edhe me rrezikun e terrorizmit dhe krimit të organizuar në të gjithë rajonin. Duke biseduar mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit, u theksua rëndësia e forcimit të partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA duke ndarë bindjen se Shqipëria është një partner solid i NATO-s me peshë të rëndësishme për avancimin e axhendës euro-atlantike të vendeve fqinje. Në këtë kuadër z. Meta vuri në dukje se forcimi i sigurisë dhe kontrollit të kufijve ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në rajonin e Ballkanit, ku SHBA kanë interesa strategjikë afatgjatë. Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Meta nënvizoi se pavarësisht sfidave dhe problemeve në vend, Shqipëria është e përkushtuar ndaj axhendës së saj euro-atlantike dhe populli shqiptar ndjehet mirënjohës për miqësinë e veçantë me Shtetet e Bashkuara, e cila kontribuon në zhvillimin demokratik dhe në forcimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin.