Ballina Bota & Rajoni Bisedimet e nxehta, Tillerson-Lavrov

Bisedimet e nxehta, Tillerson-Lavrov

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson preti dje ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov në Departamentin e Shtetit për bisedime që pritet të dominohen nga mosmarrëveshjet që të dyja vendet kanë lidhur me Sirinë dhe Ukrainën.
Më pas zoti Lavrov do të takohet me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Kjo do të jetë hera e parë që zoti Lavrov viziton Uashingtonin që nga viti 2013.
Homologët Tillerson dhe Lavrov u takuan në Moskë muajin e kaluar, mes tensioneve lidhur me bombardimin amerikan të një aeroporti sirian pas dyshimeve për ndërmarrjen prej andej të sulmeve kimike nga forcat siriane mbi civilët, përfshi fëmijë.
Ish-ambasadori amerikan, Alexander Vershbow, që është tani me institutin hulumtues Këshilli i Atlantikut, i tha “Zërit të Amerikës” se të dy diplomatët kanë një punë të vështirë përpara.
Dy diplomatët u takuan muajin e kaluar në Moskë dhe ekspertët thonë se Siria ka të ngjarë të mbetet fokusi kryesor i bisedimeve.
“Për Sirinë, të dy palët pretendojnë se kërkojnë të njëjtën gjë – fundin e luftës civile dhe formimin e një qeverie të re të pranueshme për të gjithë njerëzit në Siri. Por sigurisht, kur vjen puna tek hollësitë ata nuk bien dakord për asgjë”, thotë zoti Vershbow.
Ambasadori Vershbow thotë se pika kryesore e fërkimit mbetet nëse e ardhmja e Sirisë do të përfshijë presidentin Bashar al-Assad, që Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të tjera thonë se duhet të largohet, por që Rusia e mbështet. Gjithashtu temë e diskutimeve është marrëveshja e nënshkruar mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë për krijimin e zonave të sigurta për civilët sirianë, e nënshkruar në Astana të Kazakistanit javën e kaluar. Zoti Tillerson ka të ngjarë të kërkojë të mësojë më shumë se si do të funksionojnë zonat e sigurta. Zoti Vershbow thotë se dialogu i shpeshtë mes zotit Tillerson dhe Lavrov është shumë i rëndësishëm.
“Të paktën Tillersoni dhe Lavrovi kanë krijuar një marrëdhënie pune. Ishte shumë e rëndësishme gjithashtu që zoti Tillerson u takua me presidentin Putin kur ishte në Moskë dy javë më parë”.
Disa demokratë thonë se janë shumë të shqetësuar rreth hetimit që po zhvillohet lidhur me ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara. Ata kërkojnë që zoti Tillerson t’ja përcjellë këto shqetësime zotit Lavrov.
“Ishte një sulm mbi vendin tonë. Rusia kërkoi të minojë sistemin tonë të zgjedhjeve të lira. Ata u përpoqën të influencojnë zgjedhjet në Amerikë. Kjo është një çështje serioze. Ne duam të zbulojmë saktësisht se çfarë bën, duam të ndërmarrim hapat për të mbrojtur vendin tonë dhe institucionet tona demokratike. Ne besojmë se për këtë sjellje mbi Rusinë duhet të vendosen sanksione shtesë”, thotë senatori Ben Cardin.
Pas takimit të mërkurën, të dy diplomatët do të takohen përsëri, së bashku me gjashtë homologët e tyre të Këshillit Arktik në Feirbenks të Alaskës të enjten.

Exit mobile version