Atak kardiak/ Ndahet nga jeta ish-kryebashkiaku i Delvinës

Eshtë ndarë nga jeta në mënyrë të papritur ish¬-kryebashkiaku i Delvinës, Dhurim Alinani. Mësohet se Alinani ka pësuar një atak kardiak teksa ka qenë duke drekuar me disa miq të tij rreth orës 18:00 të ditës së djeshme.
Dhurim Alinani ka lindur më 11 qershor 1969. I diplimuar fillimisht për Ekonomi, ai ka kryer studimet për Drejtësi dhe ka titullin “Avokat“.
Lëvizja studentore shënon hapat e tij të para në politikë. Që prej këtij momenti e në vazhdim, ai ka qenë një nga aktivistët politik të Partisë Demokratike me më shumë mbështetje në zonën e Delvinës. Më 1993, ka drejtuar degën e Agjencisë Kombëtare të Privatizimit dhe më pas, në vitin 1997 shërbeu si drejtor i Bankës së Kursimeve në Delvinë.
Karrierën e tij administrative Durim Alinani e shtriu në pushtetin lokal. Ai ka spikatur si manaxher dhe drejtues i shkëlqyer në cilësinë e nënprefektit të Rrethit Delvinë dhe më vonë në funksionin Kryetar i Bashkisë Delvinë. Pas humbjes në garën e vitit 2015, ai punonte në profesionin e tij si avokat.