Ambasadorët e vendeve të BE refuzojnë qëndrimet prej kamikazeje të Vlahutin

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian kanë dalë kundër ambasadores së delegacionit të BE në Shqipëri, Romana Vlahutin në lidhje me krizën politike në vend.
Paraditen e djeshme, në zyrën e Vlahutin tek “Aba Center” u mblodhën ambasadorët e vendeve të BE për të diskutuar për bojkotin e zgjedhjeve nga opozita.
Syri.net mëson nga burime konfidenciale se, ambasadorja Vlahutin u ka kërkuar ambasadorëve të vendeve të BE që të njohin rezultatin e zgjedhjeve të 18 qershorit, edhe pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera opozitare. Ky qëndrim i Vlahutin është në të njëjtën linjë me atë të Kryeministrit Edi Rama, i cili tashmë ka deklaruar se zgjedhjet do të zhvillohen pa opozitën.
Por, kjo kërkesë e ambasadores Vlahutin ka marrë një përgjigje të prerë nga të gjithë ambasadorët e 28 vendeve të BE.
Ata janë shprehur se nuk do të mbajnë asnjë qëndrim për njohjen e zgjedhjeve edhe pa pjesëmarrjen e opozitës, pa parë protestën e Partisë Demokratike që do të zhvillohet të shtunën më 13 maj në Tiranë.
Të njëjtat burime i thanë Syri.net se, ambasadorët e vendeve të BE do të shikojnë fillimisht se çfarë do të ndodhë me protestën e së shtunës dhe më pas në bazë të zhvillimeve politike do të mbajnë qëndrim për zgjedhjet.
Kështu, ata u larguan nga zyra e delegacionit të BE pa pasur asnjë dakordësi me ambasadoren Romana Vlahutin.