18 qershori ka rënë, opozita në Kolegj: U shkelën afatet

Armand MAHO

Opozita ka ankimuar dje në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KQZ për regjistrimin e listave për kandidatë në zgjedhjet e 18 qershorit. Ankimimi është bërë në emër të Partisë Agrare Ambientaliste, me mbështetjen e Partisë Demokratike dhe të të gjitha partive të tjera opozitare. Sipas relacionit bashkangjitur kërkesës PAA argumenton se është shkelur neni 67 i Kodit Zgjedhor që parashikon se “partia politike, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumëemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve”. Ky afat regjistrimi ka përfunduar më datë 28 prill, por KQZ pranoi listat e subjekteve, 15 të tilla më datë 29 pra në ditën e 49 të saj, duke përjashtuar ditën e zgjedhjeve. Në kërkesën e saj, PAA argumenton se bazuar në faktin se Kodi Zgjedhor nuk lejon hapësira të tilla, atëherë duhet bërë çregjistrimi i të gjithë listave të partive që kanë kaluar afatin. Pas skadimit të këtij afati, që është ora 00:00 e datës 28 prill, nuk duhej të ishte regjistruar asnjë subjekt politik, ashtu siç u skualifikuan nga gara 31 subjekte të tjera për shkak se nuk arritën që të plotësojnë listat dhe dokumentacionin brenda kohës së paracaktuar. Këto parti ishin regjistruar më parë si subjekte në KQZ. “Përsa më sipër, duke konsideruar se vendimet e datës 07.05. 2017 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë të paligjshëm, kërkojmë: Shfuqizimin e Vendimeve të KQZ-së të datës 07.05.2017. Gjykimin e çështjes në themel, duke vendosur çregjistrimin e listave shumëemërore të kandidatëve për deputet të partive që kanë depozituar listat në datën 29.04.2017”, thuhet në kërkesën drejtuar Kolegjit Zgjedhor.

Cenimi i afateve

Në kërkesë thuhet se regjistrimi i listës së kandidatëve për deputetë në kundërshtim me procedurën  dhe afatet cenon Kodin Zgjedhor dhe çdo cenim i Kodit Zgjedhor nxjerr nul të gjitha vendimet e marra nga ana e KQZ. “Konkretisht, qartazi ligji parashikon përfundimin e afatit për dorëzimin e listave shumëemerore dhe kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit “jo më vonë se 50 ditë përpara datës së zgjedhjeve”. Pra Kodi Zgjedhor, nëpërmjet togfjalëshit “jo më vonë se”, kërkon në mënyrë taksative respektimin e afatit 50-ditor. Pra, momenti fundor për dorëzimin e listave është ora 24:00 e ditës që i paraprin fillimit të afatit 50-ditor. Duke qenë se Kodi Zgjedhor e përcakton afatin e dorëzimit të listave duke përcaktuar një periudhë 50-ditore, pra afati parashikohet me ditë, kjo periudhë llogaritet thjeshtë duke numëruar 50 njësi ditore që i paraprijnë datës 18 qershor 2017. Duke qenë se data 18 qershor 2017 përjashtohet nga ky afat 50-ditor dhe se kjo periudhë llogaritet, duke numëruar 50 ditë të plota 24 orëshe, dita e parë është data 17 qershor 2017 dhe dita e 50-të është data 29 prill 2017, e cila fillon në ora 00:00”, thuhet në analizën ligjore të fakteve.

Cenimi i barazisë

Në KQZ sipas relacionit të PAA, është shkelur dhe barazia në garë pikërisht për shkak të afateve. Rreth 31 subjekte politike nuk kanë arritur të plotësojnë dokumentacionin e kërkuar, megjithëse ishin regjistruar si subjekte brenda afateve. Kjo ka bërë që ata të mbeten jashtë zgjedhjeve të 18 qershorit.  “Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u regjistruan si subjekte zgjedhor 46 parti politike. Pranimi i listavë shumëemërore jashtë afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor për 15 parti politike, cenon parimin e barazisë, pasi subjekte të tjera të cilat duke mos patur mundësi për të përgatitur dokumentacionin  listave shumëemërore brenda afatit ligjor, brenda datës 28 prill, nuk i depozituan kërkesat për regjistrim në KQZ. Ndërkohë parti të tjera, të cilat i depozituan në datën 29 prill arritën nëpërmjet vendimmarrjes së paligjshme të KQZ-së të regjistrojnë listat shumëemërore të kandidatëve të tyre”, thuhet në relacion. Nga arsyetimi duket qartë se, pas shkeljes së afateve të regjistrimit, zgjedhjet e 18 qershorit kanë rënë, dhe Kolegjit tashmë i mbetet në dorë që të rrëzojë këtë fasadë zgjedhjesh farsë, që kërkon të organizojë Rama. Nuk është më fjala vetëm politikisht, por janë shkelur të gjitha ligjet e miratuara me konsensusin e të dyja partive në vitin 2012. Në rast se Kolegji Zgjedhor nuk merr parasysh kërkesën e partive opozitare për një shkelje të tillë flagrante, ku 31 subjekte nuk lejohen të hyjnë në zgjedhje, se shkelën afatet, ndërsa lejohen vetëm të preferuarit dhe satelitët e Ramës, atëherë në këtë vend vetëm për zgjedhje nuk mund të flitet më.

Basha: Rrëzimi i zgjedhjeve nga kolegji, një mundësi që i jepet Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha lajmëroi dje gjatë fjalës së tij në çadrën e protestës se opozita ka dërguar në Kolegjin Zgjedhor kërkesën për çregjistrimin e listave të kandidatëve. Sipas Bashës, kjo mund të jetë dhe një mundësi që i jepet Republikës së vjetër për t’u tërhequr nga marrëzia e 18 qershorit dhe ta përfundojë procesin përmes negociatave, ose dhe vetë Kolegji do të ketë fatin e Republikës së vjetër. “Dy rrugë ka, Kolegji Zgjedhor do të ballafaqohet së shpejti me kërkesën për të hedhur poshtë 18 qershorin dhe listat e paligjshme, duke hedhur poshtë sipas ligjit të Republikës së vjetër do t’i japë një shans Republikës së vjetër ta përfundojë misionin e saj, përmes konsensusit dhe negociatave. Në qoftëse me presione apo zhage Kolegji Zgjedhor vendos t’u thotë shqiptarëve se 17 plus 31 plus 2 bëjnë 51 dhe jo 50, atëherë Kolegji Zgjedhor, ligji zgjedhor dhe Kushtetuta e Republikës së vjetër do të merren përpara nga bashkimi i shqiptarëve për Republikën e Re. Rrena nuk i lë vend rrenës. Kështu ka qenë këto 4 vite e kështu do të jetë këto ditë që i kanë mbetur republikës së vjetër. Procesi i zgjedhjeve të 18 qershorit përveçse dështoi politikisht e moralisht, dështoi edhe ligjërisht. Të gjithë e dinë, të gjithë dini të numëroni deri në 50, në çdo listë, absolutisht çdo listë e dorëzuar në KQZ është e jashtëligjshme, procesi është në kolaps ligjor. Të gjithë dini të numëroni deri në 50. Çdo listë e dorëzuar në KQZ është e paligjshme, procesi është në kolaps ligjor. Edi Rama dhe serumet që e mbajnë në këmbë Made in Albania apo kudo që bëhen apo made in Soros. Ata nuk e thonë një fjalë për skadimin e datës ligjore zyrtare për zgjedhjet. Nuk e thonë, duan ta anashkalojnë dhe shpresojnë që me presione ndaj Kolegjit  Zgjedhor do t’i thonë shqiptarëve që, një edhe një nuk bëjnë dy, por bëjnë një. Se 17+31+2 nuk bëjnë 50, por bëjnë 51”, tha Basha.

Disa nga pikat ku bazohet kërkesa e opozitës

1.Zgjatja dhe tejkalimi i afateve ligjore nga ana e KQZ-së në procesin e pranimit të dokumentacionit të listave shumëemërore është shkelje e dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe bën vendimmarrjen e KQZ-së të pavlefshëm. Kjo vendimmarrje ndikon negativisht në proceset zgjedhore të mëvonshme.
2.Dispozita të veçanta të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si ato të përcaktuara në nenin 1 dhe 45 të saj, por edhe parimet e sanksionuara në nenin 3 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, garantojnë të drejtën e shtetasve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
3. Për përfitimin e këtyre të drejtave, Kushtetuta vendos një sërë kriteresh dhe procedurash, të cilat duhen respektuar me qëllim që parashikimet kushtetuese dhe ligjore të mos mbeten thjesht parashikime boshe, por të bëhen efektive. Këto kritere dhe procedura për mënyrën e ushtrimit të të drejtës për t’u zgjedhur, parashikohen nga Kodi Zgjedhor, dhe afati është një nga kriteret ligjore më të rëndësishme, pasi standardizon dhe garanton qëndrueshmërinë e procesit zgjedhor dhe barazinë ndërmjet palëve.

Bylykbashi: Pas datës 28 prill askush s’mund të regjistrojë më lista në KQZ

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi do të dilte rreth orës 10:30 të datës 29 prill para kamerave në KQZ për të lajmëruar se gongu i afateve ka rënë dhe KQZ nuk duhet të regjistrojë më lista deputetësh, pasi çdo regjistrim është shkelje e Kodit Zgjedhor. “Më datë 28 prill në mesnatë, ka skaduar afati i regjistrimit për kandidatë në Parlamentin e Shqipërisë. Që pas kësaj date, askush nuk mund të regjistrojë më lista. Çdo regjistrim i listave në KQZ do të ishte shkelje e ligjit. Kodi Zgjedhor është shumë i qartë. Listat e kandidatëve të partive politike apo edhe e kandidatëve të pavarur, regjistrohen jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Data e dekretuar e zgjedhjeve është 18 qershor, e cila fillon në orën 00:00 dhe nuk llogaritet në afat, kështu që dita e 50-të përpara kësaj date është data 29 prill në ora 00:00 sot (dje) në mëngjes. E për rrjedhojë, çdo regjistrim që do të bëhej gjatë ditës së sotme (djeshme) do të ishte i paligjshëm, sepse do të ishim para 49-të ditësh e disa orësh”, tha deputeti i PD. Të njëjtin arsyetim e mbështet dhe ish-kreu i KQZ, Çlirim Gjata. Sipas tij është një veprim i thjeshtë matematikor dhe ska nevojë për shumë arsyetime. KQZ sipas Gjatës nuk duhet të bjerë pre e politikës. “Është veprim i thjeshtë matematikor të numërosh nga 1 në 50. Po problemi është që politika po i detyron institucionet të shkelin ligjet edhe para 10 ditësh paraqitën kërkesë dy partitë, KQZ nuk ra e ruajti besimin para publikut. Ato afate kanë mbaruar mbrëmë në 12:00 të natës. KQZ është në një pozicion shumë të vështirë. KQZ të mos bjerë institucionalisht. Për mua ka mbaruar mbrëmë afati”, thotë Gjata.