Takimi Tillerson–Lavrov sot në Uashington

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson do të takohet sot me diplomatin më të lartë të Rusisë. Dy vendet po përpiqen të shpëtojnë një marrëdhënie, që siç thotë zoti Tillerson, është më keq se në çdo kohë, që nga Lufta e Ftohtë.
Kriza në Siri do të jetë çështja më urgjente e rendit të ditës në takimin e së mërkurës në Uashington me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.
Autoritetet amerikane janë dyshues për planin e ri të udhëhequr nga Rusia, për krijimin e zonave të sigurta në Siri, por ndikimi i pakundërshtueshëm i Moskës në luftën civile atje, e ka bërë të pamundur injorimin prej Uashingtonit.
Zoti Lavrov, i cili rrallë viziton Uashingtonin, kishte planifikuar të takohej me zotin Tillerson më vonë gjatë javës në Alaskë, në kuadër të një samiti të Këshillit të Arktikut.
Gjithsesi të dy diplomatët do të udhëtojnë drejt Fairbanksit për të marrë pjesë në këtë samit, por nuk ishte bërë menjëherë e qartë nëse ata kishin planifikuar të mbanin një takim të dytë.
I pyetur të hënën nëse vizita e Sergej Lavrovit ishte një paralajmërim për përmirësimin e mardhënieve, zoti Tillerson tha: “Do të shohim”.
Bisedimet vijnë në një kohë kur administrata Trump po punon për të hapur linjat e komunikimit me Moskën, me shpresën se besimi mes palëve mund të rindërtohet me kalimin e kohës.
Duke folur me diplomatët amerikanë javën e kaluar, zoti Tillerson pati thënë se qasja ishte të “punonte për disa gjëra të vogla” me Rusinë dhe të provonte “nëse mund të punonin së bashku për çështje të mëdha”, sikurse Siria.
“Nëse mund të gjejmë hapësirë për diçka, mund të fillojmë të rindërtojmë një nivel besimi, sepse sot besimi mes nesh pothuaj nuk ekziston”, tha zoti Tillerson.
Muajin e kaluar, dy homologët zhvilluan bisedime të tensionuara në Moskë, gjatë së cilës Tillerson dhe Lavrov, pranuan publikisht “shijen e thartë” të marrëdhënieve.
Të hënën u hap një tjetër kanal i nivelit të lartë të komunikimit me Rusinë kur Thomas Shannon, zëvendësi i zotit Tillerson, udhëtoi për në Nju Jork për t’u takuar me zëvendësministrin e jashtëm rus, Sergej Ryabkov.
Muajin e kaluar në Moskë, Tillerson dhe Lavrov ranë dakord të vendosin dialogun rreth çështjeve që kanë tensionuar marrëdhënien mes SHBA dhe Rusisë.