Strazimiri: Protestë masive, Rama i ka orët e numëruara

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, thotë se protesta e 13 majit do të tregojë pakënaqësinë e popullit shqiptar ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Në rubrikën “Opinion” në “Neës24”, Strazimiri tha se “strategjia” e Ramës për të trembur popullin që të mos dalë në protestë, është pa fantazi dhe e gabuar.
Teksa ftoi të gjithë qytetarët pa dallim bindje partiake që të dalin në shesh më 13 maj, deputeti demokrat tha se “qeveria e Ramës i ka minutat e numëruara”.
“Kjo do të jetë një protestë masive. Populli do të tregojë forcën e tij, pushtetin e tij përballë zyrave që kujtojnë se mund të pengojnë qytetarët. Një qeveri që nuk trembet nga populli në rrugë, është një qeveri që i ka minutat e numëruara. Është një pakënaqësi popullore që në 13 maj do të derdhet në sheshin kryesor të Tiranës.
Është një strategji e Ramës pa fantazi, e përsëritur e dalë boje. Të trembësh popullin që të mos dalë në rrugë, për të shprehur ndjenjën e padrejtësive që i bëhet nga kjo qeveri. E sot i shtoi edhe talljen. Ftoj çdo shqiptar pavarësisht bindjeve politike, t’i bashkohet protestës. Çdo kush që është i zhgënjyer. Ka 80 e ca ditë kjo protestë që nuk ka asnjë flamur partiak, por vetëm flamurin kuq e zi”, tha Strazimiri.
Ai tha se, mesazhi i 13 majit do të jetë i fortë, pasi janë të shumtë njerëzit që janë të zhgënjyer.
“Tanimë kemi një popull më të ndërgjegjësuar. Mendoj se me pak kurajo dhe ndërgjegjësim të shqiptarëve, të parët që duhet të jenë në shesh aty janë socialistë”, u shpreh Strazimiri.
Duke u ndalur tek kërkesa e PD për qeveri teknike, deputeti demokrat tha se kjo kërkesë është e nevojshme për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.
“Rama është problemi, dhe Rama nuk mund të jetë zgjidhja. Ndaj kryefjala mbetet qeveria teknike. Duhet të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme. Rama e thotë me arrogancë që PD në zgjedhje është e panevojshme, e po kështu edhe konkurrenca. Pra këtu mbyllet çdo gjë”, tha Strazimiri.