Sot, derbi spanjoll

“Visente Kalderon” do të jetë një “kazan” që do të ziejë të paktën për 90 minuta ditën e mërkurë. Diego Simeone u ka bërë thirrje tifozëve për një mbrëmje të zjarrtë për realizimin e misionit të pamundur, atë të “remuntadës” së humbjes 3-0 të gjysmëfinales së një jave më parë në “Bernabeu”. Atletiko nuk do të dorëzohet dhe do të luajë kartën e saj të fundit që ka në dispozicion për të ëndërruar një finale të mundshme kundër Juventusit ose Monakos në Kardif.
Derbi i Madridit në Europë është klasifikuar si një ndeshje e një rrezikshmërie akoma më të lartë sesa në La Liga dhe Kupën e Mbretit dhe për këtë arsye autoritetet kanë marrë të gjitha masat që ajo të zhvillohet në kushte të sigurta dhe qetësie. Rreth 1500 agjentë sigurie do të garantojnë mbarëvajtjen e ndeshjes së nesërme brenda dhe jashtë impiantit të Atletikos.
Këto janë shifrat zyrtare që ka dhënë departamenti i sigurisë së kryeqytetit spanjoll ditën e hënë. Agjentëve policorë në terren do t’u bashkohen edhe ata të Brigadës Lëvizëse, kavalerisë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, forcat e zjarrfikëses, brigada e qenve antieksplozivë dhe forca të tjera sigurie. Në frontin e parë do të jetë edhe policia bashkiake e Madridit, Kryqi i Kuq dhe punonjësit e sigurisë së vetë stadiumit të Atletikos.
Për të mbështetur skuadrën e tyre në fushën kundërshtare në Europë, do të jenë edhe 2642 tifozë të Realit të Madridit. Ata do të grumbullohen më parë nga autoritetet në dy pikë të caktuara zyrtarisht për t’u transferuar në stadium më parë sesa tifozët e Atletikos.
Ndërkohë, Bale mund t’i japë lamtumirën Realit. Kur u transferua nga Totenhemi drejt Realit të Madridit, Gareth Bale u shndërrua në lojtarin më të shtrenjtë të të gjitha kohërave, vend që e mbajti deri në verën e vitit të kaluar, kur ja la fronin Paul Pogbam që u transferua nga Juventusi tek Manchester United.
E megjithatë, Bale ka mundësinë që të rikthehet sërish në krye të këtij klasifikimi, të paktën nga ajo që shkruajnë mediat sportive në Angli dhe në Spanjë. Sipas tyre, Florentino Perez është lodhur nga dëmtimet e shpeshta të uellsianit dhe nëse vjen oferta e duhur është i gatshëm që ta transferojë atë. Por cila është oferta e duhur? “Daily Express” thotë se, bëhet fjalë për 110 milionë paund, që Manchester United është i gatshëm për të paguar për ta vendosur lojtarin nën urdhrat e Jose Mourinhos.
Në Spanjë thuhet se, vetë Bale ka rënë dakort, por me një kusht; kualifikimin e Manchester United për në Ligën e Kampionëve. Mundësitë që “Djajtë” ta bëjnë këtë janë dy; duke u renditur të katërtit në Premier Ligë, një skenar i vështirë, ose duke fituar Ligën e Europës, një skenar më i mundshëm, duke patur parasysh që në gjysmëfinalen e parë në Spanjë me Celta Vigon, fituan minimalisht 1-0.