Rilindja urbane si simbol i teorisë së “Dritareve të Thyera”

(Broken Windows Theory) por jashtë kontekstit dhe shkëputja me realitetin e majmunëve shqiptarë

Gjatë viteve 1980, në New York City krimi kishte arritur përmasa epidemike. Ndodhnin, mesatarisht, rreth 2000 vrasje dhe 600 mijë krime të rënda në vit.
Pika më vulnerabël e qytetit ishte metroja. Sistemi nëntokësor i udhëtimit ishte kthyer në një kaos. Trenat ishin gjithmonë vonë, alarmi kundra zjarrit binte pothuajse çdo ditë, vagonët e trenave plot me plehra, disa me dritare të thyera e disa pa sistem ngrohje, shumica e tyre të errëta nga ndriçmi i pamjaftueshëm.
Por, ajo që tërhiqte më shumë vëmendje ishte graffiti. Të gjithë vagonët e qytetit, me përjashtim të Midtown (Manhattan), ishin të mbushur me shkarravina graffiti nga jashtë e nga brenda, si në tavan edhe në dysheme. Mospagimi i biletës kishte marrë aq përmasa të mëdha, sa që i kushtonte qytetit rreth 150 milionë dollarë në vit.
Megjithatë, në fillim të viteve ‘90 diçka ndodhi dhe menjëherë trendi i kriminalitetit mori kthesë. Vrasjet u ulën me dy të tretat. Krimet në metro ranë me 75 për qind. Tashmë New Yorku ishte papritur në një nga qytetet më të sigurtë në Amerikë.
Po çfarë ndodhi? Kur Rudi Xhuliani mori detyrën, emëroi në krye të Departamentit të Transportit, David Gunn. David menjëherë vuri në zbatim Teorinë e Dritareve të Thyera (Broken Windows Theory). Sipas kësaj teorie, ideuar nga Wilson dhe Kelling, “krimi është pasojë e pashmangshme e kaosit”. Në qoftë se një dritare thyhet dhe nuk riparohet, njerëzit që kalojnë pranë do të mendojnë se askush nuk kujdeset për të ose se shtëpia as nuk ka pronar fare. Së shpejti, më shumë dritare do të thyhen dhe sensi i anarkisë do të përhapet nga shtëpia në rrugë, nga rruga në lagje e kështu me radhë.
David vendosi që të gjithë vagonat e trenave të lyheshin çdo mëngjes para se të dilnin në sistem (pasi shkarraviteshin me graffiti natën në parkim) dhe të riparoheshin çdo darkë. Të gjithë vagonat ishin si të rinj çdo mëngjes. Po ashtu, për të luftuar sindromën e mospagimit të biletës, ai krijoi një status të ri për të kualifikuar këtë vepër penale.
Shmangia e pagimit të biletës, së bashku me graffitin, tashmë ishin “krime kundra cilësisë së jetesës”. Dënimi për to u rrit, po ashtu edhe prezenca e policisë nëpër stacione u pesëfishua. Më vonë, Xhuliani e emëroi David Gunn edhe si drejtor të Policisë Bashkiake, ku ai pati mundësinë ta tranformonte qytetin në atë që është sot.
Teoria e Dritareve të Thyera është një shembull tipik i fuqisë së kontekstit. Kjo është teoria me të cilën Edi Rama ka drejtuar Bashkinë e Tiranës për më shumë se 10 vjet dhe Shqipërinë sot.
Por pse Tirana nuk është “civilizuar mjaftueshëm” atëherë?! Pse vallë Shqipërinë po e mbyt droga dhe pesimizmi?!
Sepse Edi Rama po e përdor teorinë jashtë kontekstit të saj dhe se Tirana nuk është New Yorku. Edi e ka aq shumë përzemër këtë teori, saqë në TED Talk-un e tij të famshëm në Selanik, e përmend si teorinë e vet personale. Por në fakt, e vërteta është krejt tjetër. Ai, nëpërmjet zbukurimit të pallateve dhe rregullimit të Lanës i dha një pamje të re qytetit, por jo një shpresë ekonomike të re.
Teoria e Dritareve të Thyera është e suksesshme në uljen e kriminalitetit, por jo domosdoshmërisht në hapjen e vendeve të punës. Kur njerëzit arrijnë nivele shumë të ulëta ekonomike, nevoja për mbijetesë injoron gjithçka dhe i mbivendoset çdo sensi apo ideje, përfshirë këtu edhe estetikën e bukurinë.
Prandaj Rilindja Urbane, një tjetër shembull i obsesimit të Edi Ramës me Teorinë e Dritareve të Thyera, është një nga çmenduritë më të dështuara të kësaj qeverie.
Shqipëria nuk vuan nga krimi ordiner i induktuar e trashëguar në shoqëri, por nga kontrolli ekonomik që ka krimi në vend. Në njëfarë mënyre, Rilindja Urbane është një ofendim që na bëhet ne shqiptarëve si kriminelë ordinerë dhe turmë e pacivilizuar e pa klas të vlerësojmë “Kullën e Korçës” apo “Velierën e Durrësit”.
… E gjitha kjo sepse Edi Rama është vetë jashtë kontekstit, i shkëputur nga realiteti shqiptar, ashtu si majmunët Vervet. Majmunët Vervet njihen si disa prej kafshëve më të çuditshme. Ata kanë shumë vështirësi në kuptimin e informacioneve që vijnë jashtë ambientit të tyre të jetesës.
Për shembull, kur shohin një antilopë të varur në pemë (shenjë e qartë që aty afër jeton një leopard) ose kur dallojnë gjurmët e ndonjë gjarpri “python”, as nuk e konceptojnë dhe analizojnë këtë informacion. Vazhdojnë rrugën e tyre derisa habiten nga prezenca e grabitqarëve.
Nga ana tjetër, ata janë mes kafshë më të sofistikuara (pothuajse të ngjashëm me njeriun) për jetën në grupin e tyre. Arrijnë të veçojnë zërin e një familjari nga turma në distancë. Ose, kur një fëmijë i vogël fillon të qajë, kthehen menjëherë të shohin, jo nga fëmija, por nga nëna e tij.
E thënë ndryshe, Vervetët konsiderohen “budallenj” jashtë kontekstit dhe “gjeni” në kontekstin e botës së tyre. Në qoftë se “brenda kontekstit” është partia, “jashtë kontekstit” është Shqipëria, a i gjeni dot majmunët Vervet?