Punësimi në Kosovë

Arsimi, tregtia dhe kujdesi shëndetësor janë sektorët kryesorë të punësimit për femrat në Kosovë. Por, edhe në këta sektorë apo profesione të tjera, sipas të dhënave zyrtare, vetëm rreth 13 për qind e femrave në moshë pune punojnë, pasi 34 për qind e popullsisë që i takojnë kësaj gjinie nuk janë në marrëdhënie pune. Një gjendje e tillë është evidente pavarësisht që interesimi i grave për të gjetur punë është i njëjtë me burrat. Gjysma e popullsisë së përgjithshme në Kosovë, llogaritet se i takojnë gjinisë femërore. Punësimi i numrit më të madh të grave në këta sektorë, ka bërë ndarje tradicionale të profesioneve, ku në mënyrë specifike kërkohen burra për “profesionet e burrave” dhe gra për “profesionet e grave”. Po ashtu, barriera tjetër është tek gjuha diskriminuese e shpalljeve për vende të punës, thuhet në një analizë të publikuar të enjten nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”. Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se përkundër faktit që ligji për barazi gjinore i obligon punëdhënësit që me rastin e shpalljes së vendit të lirë të punës të shmangin elementet diskriminuese në bazë të gjinisë, në sektorin privat ligji pothuajse nuk aplikohet, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkohen gra ose burra për pozita të caktuara. “Në shumicën e konkurseve, ne kemi analizuar mbi 500 konkurse të ndryshme dhe tek gratë kryesisht ofrohen mundësi apo pozita për punë që kanë të bëjnë me sektorin si shitëse, asistente, do të thotë punë kryesisht të thjeshta. Kurse për burra kërkohen pozita si menaxher, inxhinier, arkitekt, drejtor ekzekutiv”, ka thënë Mehmeti. Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive në Qendrën kosovare për Studime Gjinore, e konsideron diskriminim gjinor punësimin e grave vetëm në sektorë të caktuar.