OSBE/ODIHR: Nuk mund të themi se zgjedhjet do të jenë të ligjshme

Zyra për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut e OSBE/ ODIHR hapën zyrtarisht misionin për vëzhgimin për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Shefi i këtij misioni Peter Tejler nuk pranoi të bëjë asnjë koment për situatën politike në vend dhe vendimin e opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
Peter Tejler është shefi që kryeson misionin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamenare në 18 qershor.
Ka ardhur për të mbikëqyrur procesin para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Pjesëmarrja, ose jo e opozitës nuk është në axhendën e misionit të tij.
“Vendimi për të garuar ose për të mos garuar në zgjedhje është një vendim politik dhe ne do e diskutojmë këtë çështje me të gjitha partitë politike. Por ne jemi këtu të vëzhgojmë procesin, për të vëzhguar zgjedhjet dhe kushtet në të cilat këto zgjedhje zhvillohen. Një deklaratë nëse këto zgjedhje do jenë demokratike ose jo mjaftueshëm demokratike është diçka për të cilën ne nuk mund të flasim përpara se procesi të nisë. Ne do adresojmë çështjen në raportin përfundimtar dhe në qëndrimet tona preliminare. Pozicioni dhe mandati ynë nuk është përcaktuar, nëse zgjedhjet janë legjitime ose jo, por për të vëzhguar procesin zgjedhor”.
I pyetur nëse është e mundur të aplikohet numërimi elektronik i votave, kreu i misionit të OSBE-ODIHR u shpreh se ky vendim tashmë është marrë.
“Nëse jam informuar korrekt, vendimi është që të mos përdoret aplikimi i teknologjisë në zgjedhje. Ne e dimë se ky vendim është marrë dhe ne nuk mund të asistojmë aplikimin e teknologjisë në zgjedhje, pra votimin dhe numërimin elektronik, nëse ato nuk përdoren. Kjo është pjesë e debatit politik në vend dhe le të jetë i tillë, por jo çështja jonë”.
Pavarësisht këmbënguljes së gazetarëve, kreu u misionit të OSBE-ODIHR nuk bëri asnjë koment mbi situatën politike në vend.
“Nuk jemi këtu për të komentuar situatën politike, por për të parë nëse procesi është transparent apo do të respektohen standardet europiane”.
Misioni i OSBE-ODIHR përbëhet prej 13 ekspertësh të vendosur në Tiranë dhe 26 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të vendosen në ekipe prej dy vetësh në të gjithë vendin. Përveç kësaj ODIHR do të sjellë 300 vëzhgues afatshkurtër për të monitoruar procedurat në ditën e zgjedhjeve.
Një deklaratë e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake do të lëshohet ditën pas zgjedhjeve. Një raport përfundimtar do të publikohet përafërsisht dy muaj pas përfundimit të procesit zgjedhor.