Kandidatë nga gjyshja tek halla, listat e aleancës-Rama

Zbardhja e listave të kandidatëve për deputetë të dy partive aleate të Ramës, PAD dhe MEGA, të cilët kanë pranuar të bëhen pjesë e farsës elektorale që Rama dëshiron, kanë nxjerrë në pah një skandal të madh. Dy partitë, MEGA dhe PAD kanë dorëzuar në KQZ listat e kandidatëve për deputetë, duke futur në to emra të gjithë familjarëve të tyre, duke nisur nga gjyshërit e gjyshet, duke vazhduar me tezat e hallat dhe duke përfunduar me nipat e mbesat. PAD është ish-partia që dikur drejtohej nga Neritan Ceka. Tani ajo drejtohet nga Eduart Abazi. Ky e ka mbushur listën me të gjithë njerëzit e fisit të tij në pamundësi për të gjetur kandidatë, të cilët do të pranonin të kandidonin për të.
E njëjta situatë edhe në partinë tjetër MEGA. Kjo parti ka si Kryetar të saj, Kristo Kiçon dhe përfaqëson interesat e një pjese të vogël të minoritetit grek. Edhe Kryetari i kësaj partie në pamundësi për të afruar kandidatë që të garonin për partinë e tij, ka dorëzuar në KQZ listën e mbushur me emra të familjarëve dhe fisit të vet.
Ky është degradimi i partive të Ramës, që ai i ka detyruar të futen në proces zgjedhor farsë, i cili nuk do të mund shkojë deri në ditën e zgjedhjeve. Në KQZ kanë dorëzuar listat e tyre vetëm 17 parti të koalicionit qeveritar dhe asnjë parti e opozitës. Zgjedhësit nuk kanë asnjë ofertë për të zgjedhur. Ata duhet që të shkojnë dhe të përzgjedhin mes emrave të listave të mbushura me familjarë të pushtetit. Nepotizmi ka qenë dhe është kriter kryesor i pushtetit të këtyre katër viteve. Ndërsa deri tani, ky nepotizëm shtrihej në strukturat e pushtetit, tani shihet edhe në listat e kandidatëve për deputetë. Imagjino sikur nga listat e partive të Ramës të fitonin këta kandidatë që kanë paraqitur këto parti. Do të kishim në Parlament edhe gjyshen edhe hallën.
Këto lista të Ramës dëshmojnë një tjetër të vërtetë, atë të braktisjes së madhe të shoqërisë ndaj këtij koalicioni të diskretituar në sytë e opinionit si kriminalizuar dhe përgjegjës për kanabizimin e vendit. Shoqëria po distancohet në një mënyrë mjaft civile nga kjo farsë elektorale, duke i braktisur në vetminë e tyre të madhe. Është e njëjta panoramë që sot po shohim kudo nëpër Shqipëri, ku Rama për të mbushur sheshe takimesh apo salla të vogla detyrohet të nxjerrë me dhunë nxënësit e shkollave jo vetëm nga një qytet, por nga pesë apo gjashtë qytete. Nëse do të kishim një fushatë të vërtetë dhe mbështetje reale për fitoren e koalicionit të drogës, atëherë është e kuptueshme se nuk do të kishte nevojë Rama që të mbushte autobusët, duke i detyruar nxënësit dhe mësuesit të marrin pjesë në takimet e tij.
Rama e njeh shumë mirë një braktisje të tillë të shoqërisë, ndaj ai nuk lejon zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Njerëzit e kanë humbur motivin për të ndjekur këtë fushatë elektorale, e cila degradon në fund të saj me blerje votash si në pazarin e gjësë së gjallë. Kjo është e vetmja mënyrë që Rama mendon se mund të fitojë, por kjo nuk do të ndhë dhe Rama nuk do të jetë i ligjshëm, asnjë ditë në pushtet.

Arben SHAHINI