Harta globale me zonat e mbrojtura; Shqipëria nuk kujdeset për faunën

“The Economist” ka publikuar hartën e indeksit të mbrojtjes së gjallesave të egra. Shqipëria renditet në zonën e kuqe, ndër vendet në botë me tregues të dobët për sa i përket faunës. Sipas një raporti nga Ministria e Mjedisit mbi Arritjet dhe Mangësitë në Ruajtjen e Natyrës, Biodiversitetit dhe Zonat e Mbrojtura, fauna është pak e studiuar në vendin tonë. Megjithëse të pasur në gjallesa, me 46 lloje jorruazorësh, 4000 lloje insektesh, 313 lloje gjallesash ujore, 15 lloje amfibësh, 330 lloje shpendësh dhe 70 lloje gjitarësh, ndër speciet më të rrezikuara janë Ariu i Murrmë, Rrëqebulli, Karabullaku i Vogël. Sipas raportit, kërcënimet vijnë nga humbja dhe degradimi i habitatëve, ndryshimet klimatike, ndotja dhe mbishfrytëzimi.

Në botë

Cili shtet ka rekordet më të mira në ruajtjen e jetës së egër? Kjo është një pyetje e ngritur nga një grup biologësh të udhëhequr nga Peter Lindsey nga Universiteti i Pretorias në Afrikën e Jugut. Konkluzionet e tyre, të sapopublikuara në Ekologjinë Globale dhe Konservimin dhe të përmbledhura në hartën e mëposhtme, tregojnë se një përcaktor është vlera ekonomike e kafshëve të egra në një vend. Për 152 vendet e marra në shqyrtim, shkencëtarët ndërtuan indeksin e ruajtjes së faunës të përbërë nga tri elemente. Elementi i parë ishte pjesa e banuar për speciet përkatëse. Elementi i dytë ishte përqindja e habitatit të mbrojtur me ligj. I treti ishte përqindja e PBB-së së vendit të dedikuar mbrojtjes së mjedisit. Përveç rripit të Safarit (Afrikë), Amerika, Kanadaja, Skandinavia, duke përjashtuar Danimarkën, shënuan pikët më të larta në këtë indeks. Edhe fqinji ynë, Italia, shënon një kujdes të mirë për mbrojtjen e faunës. Ndërkohë që Shqipëria është në zonën e ngjyrosur me të kuqe, që tregon për një nivel të ulët të mbrojtjes së faunës. Ndërsa për sa i përket rajonit, së bashku me Shqipërinë, nivel të ulët të mbrojtjes së faunës ka edhe Bosnja, Mali i Zi dhe Greqia. Në ndryshim, Maqedonia, Serbia dhe Kroacia, sipas hartës së “The Economist”, janë ndër vendet, të cilët kanë treguar kujdes në lidhje me mbrojtjen e faunës.